Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriç, është shprehur se ai që prek ‘Trepçën’ shkatërron themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë dhe se serbët duhet të vazhdojnë ta mbajnë atë.
Gjuriç ka uruar sot Ditën e Minatorëve, saktësisht ka uruar minatorët e Trepçës. Ai ka thënë se uron të gjithë minatorët në Kosovë të menaxhimi të gjithë pasurisë në miniera, industrinë metarulgjike-kimike në Trepçë si dhe të gjithë minatorët në pjesë të tjera të Serbisë, duke theksuar se festimi i kësaj dite vjen në një kohë kur si komb serbët kalojnë ditë të vështira, raporton TCh.
“Ne jemi dëshmitarë të sfidave të vazhdueshme dhe kërcënimeve, ndër të tjera që lidhen me sistemin e energjisë në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka theksuar në mënyrë të përsëritur se ka linja të qarta të kuqe kur është fjala për Trepçën dhe sektorin e energjisë në Kosovë. Kështu që dua që kjo kohë të shërbejë që Serbia të mbrojë Trepçën dhe hidrocentralin e ‘Gazivodës’ dhe nënstacionin e ‘Valaçit’”,ka thënë Gjuriç.