Marëveshja e Detit, tjetër takim Bushati-Kotzias

Marëveshja e Detit, tjetër takim Bushati-Kotzias

Në Shqipëri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha sot se bisedimet me Greqinë për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë janë në një pikë ku ekzistojnë të gjithë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

“Nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë me e gjerë se kjo marrëveshje”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Zoti Bushati njoftoi se gjatë kësaj jave ai do të ketë një tjetër takim me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, ku në qendër të bisedimeve do të jetë sërish kjo çështje, ndërkohë që paralelisht do të zhvillohet dhe raundi i tretë mes ekipeve të negociatorëve të të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm shqiptar nuk dha ndonjë afat për përmbylljen e bisedimeve, duke theksuar se “që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe një marrëveshjeje të zbatueshme”, raporton “VOA”.

Bisedimet zyrtare mes palëve nisën në fund të muajit prill, pas një procesi të gjatë mes Presidencës së Republikës dhe Ministrisë së Jashtme, për marrjen e autorizimit nga kreu i Shtetit.

Marrëveshja e mëparshme e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2010, për shkak se u gjet në shkelje të kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje ngritje. Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka patur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash.

Dialogu i nisur që vjeshtën e kaluar duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella.