Maqedonia e Veriut shënon festën e Ilindenit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me rastin e festimit të 2 Gushtit – Ditës së Republikës – Ilindeni, tha se kjo ditë është një proces i vazhdueshëm i koduar në frymën e gjithë popujve që jetojnë në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, zëvendëskryeministri për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Burimeve Njerëzore Ljupço Nikollovski, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, sot në fshatin Pelincë vendosi lule në monumentin para Qendrës Memoriale të Kuvendit Antifashist për Çlirimin Nacional të Maqedonisë (ASNOM).

Në fjalimin e tij me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, kryeministri Zaev tha se drita e Ilindenit shkëlqeu dy herë në historinë e Maqedonisë së Veriut, njëherë në vitin 1903 dhe së dyti në vitin 1944 me ASNOM-in.

Ai po ashtu tha se Ilindeni i tretë “është pafundësia e aspiratës” së vendit për të ardhmen.

“Ilindeni nuk është i lidhur me asnjë ideologji. Ai i kapërcen kufijtë e çdo periudhe kohore. Ilindeni është një proces i vazhdueshëm i koduar në frymën e maqedonasve, shqiptarëve, romëve, turqve, serbëve, vllehve, boshnjakëve dhe të gjithë popujve që jetojnë, krijojnë dhe luftojnë për një të nesërme më të mirë në atdheun tonë”, deklaroi kryeministri Zaev.