Maqedonia e Veriut, politika shqiptare përgëzon votimin e nismës

Politika shqiptare ka reaguar njëzëri për zhvillimet e fundit në Maqedoninë fqinje, e cila mbrëmjen e së premtes i hapi rrugën ndryshimit të emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas miratimit në Kuvend të nismës për ndryshime kushtetuese me 80 vota pro.

Politika shqiptare ka reaguar njëzëri për zhvillimet e fundit në Maqedoninë fqinje, e cila mbrëmjen e së premtes i hapi rrugën ndryshimit të emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas miratimit në Kuvend të nismës për ndryshime kushtetuese me 80 vota pro.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati zgjodhi një shprehje të Nelson Mandelës për të përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë për çështjen e emrit.

“Mandela thoshte ‘Gjithmonë të duket e pamundur diçka, derisa të realizohet’. Votimi në Parlamentin maqedonas për ndryshimet kushtetuese është një hap i madh drejt zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Një demonstrim i qartë i bashkëpunimit politik, që hap rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan në Twitter kryediplomati shqiptar Bushati, i cili uron homologun e tij Nikola Dimitrov, por edhe zv.kryeministrin shqiptar Bujar Osmani.

“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap sot për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkroi një ditë më parë kryeministri Rama në Twitter, duke u bërë i pari zyrtar shqiptar që përshëndeti votimin.

Ndërkohë, arritja e qeverisë së Zaevit u përshëndet edhe nga presidenti Ilir Meta.

“Votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm shprese e besimi, se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur. E përgëzoj qeverinë e kryeministrit Zaev për përpjekjet e vendosura në këtë drejtim dhe të gjithë ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë për mbështetjen e një procesi, që jo vetëm çliron Maqedoninë nga një ngërç integrimi disavjeçar, por ndikon edhe në sigurinë, stabilitetin e mirëqenien e rajonit tonë”, shkruan Meta në Facebook.

I vetmi që nuk ka reaguar deri më tani është kryeopozitari Lulzim Basha./TCh