Maqedonia e Veriut këtë vit nikoqire e konferencës më të madhe të komunikimeve strategjike të NATO-s

Konferenca është një forum vjetor ku diskutohen funksionet dhe planet e komunikimit të Aleancës, si dhe shkëmbehen përvojat dhe mësimet e nxjerra mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme në fushën e komunikimeve strategjike.

Maqedonia e Veriut këtë vit do të jetë nikoqire e Konferencës vjetore të NATO-s për Informim dhe Komunikim, ngjarja më e madhe në fushën e komunikimeve strategjike të Aleancës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Informacioni është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut përmes një deklarate.

“Organizimi i kësaj ngjarjeje të rëndësishme në vendin tonë është konfirmim i reputacionit që kemi fituar si anëtare e Aleancës, e cila po hedh hapa vendimtarë në zhvillimin e komunikimeve strategjike”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se rreth 500 ekspertë të komunikimit strategjik të NATO-s nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës dhe rreth 40 vende partnere do të mbërrijnë në Shkup për konferencën, e cila do të mbahet në vjeshtë.

Sipas deklaratës, konferenca është një forum vjetor ku diskutohen funksionet dhe planet e komunikimit të Aleancës, si dhe shkëmbehen përvojat dhe mësimet e nxjerra mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme në fushën e komunikimeve strategjike.

“Ministria e Mbrojtjes mori besimin e aleatëve për organizimin e kësaj konference në Shkup në vitin 2020, por zbatimi i saj u vonua për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19. “Në vitet 2020 dhe 2021, konferenca u mbajt me video-lidhje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut.