Maqedonia dhe Gjermania formojnë komitet drejtues për rritjen e bashkëpunimit

Qëllimi i Komitetit drejtues të përbashkët midis qeverive të Maqedonisë dhe Gjermanisë është thellimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ka deklaruar se për të përshpejtuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën ekonomike midis Maqedonisë dhe Gjermanisë sot është formuar Komiteti drejtues midis dy qeverive, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i Komitetit drejtues të përbashkët midis qeverive të Maqedonisë dhe Gjermanisë është thellimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.

Pas takimit të parë, zv/kryeministri Angjushev, drejtori i Departamentit të zgjerimit të BE-së, Evropës Juglindore dhe Turqisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës së Gjermanisë, Helge Tolksdorf, u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Sipas zv/kryeministrit Angjushev, komiteti do të punojë për të siguruar që më shumë produkte maqedonase të përfundojnë në tregun gjerman si dhe që më shumë teknologji gjermane të arrijnë në Maqedoni.

“Qëllimi i këtij komitetit drejtues është për të përshpejtuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën ekonomike ndërmjet Maqedonisë dhe Gjermanisë, për ta bërë më të drejtpërdrejtë, më të lehtë për të tejkaluar të gjitha pengesat burokratike dhe administrative dhe për ta përshpejtuar krijimin e një bashkëpunimi të tillë”, deklaroi Angjushev.

Duke falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer në takimin e parë, Tolksdorf, nga ana e tij, tha se, “Ne ishim konstruktiv. Dua ta bëj të qartë që në fillim se synimi ynë është t’i përfshijmë bizneset, por edhe institucionet tjera që janë pjesë të ekonomisë maqedonase dhe që janë aktive”.

Ai po ashtu tha se tashmë kanë bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se takimi i ardhshëm, respektivisht në konferencën në Poloni do të diskutojnë marrëdhëniet e vendeve të rajonit.

Komiteti pritet të arrijë rezultate të mëdha në drejtim të zbatimit të strategjisë për një arsim të dyfishtë që do të ketë efekte pozitive për rikualifikimin e fuqisë punëtore dhe tërheqjen e saj në tregun e punës.