Mali i Zi, një proces gjyqësor dhe një hetim për krime lufte në Kosovë

Një i dyshuar akuzohet se në cilësi të ushtarit vullnetar të Ushtrisë së Jugosllavisë, më 30 mars të vitit 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare në rajonin e Zhegrës, komuna e Gjilanit

Në Mal të Zi, aktualisht është në procedurë një gjykim për krime lufte në Kosovë, ndërkohë që po kryhen hetime edhe për katër raste tjera të krimeve të luftës në teritorin e ish-Jugosllavisë, njëri prej të cilëve ka të bëjë me vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në bazë të të dhënave të raportit të tretë periodik të komitetit për luftë kundër torturës në Mal të Zi, aktualisht në procedurë e sipër janë pesë lëndë që kanë të bëjnë me krime lufte.

Në lëndën “Zmajeviq”, procesi gjyqësor është në vazhdim e sipër, ku një i dyshuar akuzohet se në cilësi të ushtarit vullnetar të Ushtrisë së Jugosllavisë, më 30 mars të vitit 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare në rajonin e Zhegrës, komuna e Gjilanit.

Në katër lëndët tjera, njëra prej të cilave ka të bëjë me Kosovën, personi me inicialet NN, hetohet për vrasje, ndërsa siç bëhet e ditur, provat po sigurohen përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Siç njofton gjykata e Malit të Zi, ky vend ka zgjidhur të gjitha lëndët për kompensim të viktimave nga krimet e luftës, për çka Mali i Zi ka paguar kompensim në vlerë prej 5.714.656 euro.