Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se bixhozi qarkullon 500 milionë USD dhe kontrollohet nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kryetari i PD-së Basha pohon se “kontrolli i bixhozit ishte akti i parë i qeverisë dhe se operacioni “Fundi i Marrëzisë” nuk i mbylli lojrat e fatit. Bixhozi u rrit me katër herë”.
Po ashtu, Basha përcjell premtimin, sipas tij, të pambajtur të kryeministrit Edi Rama në parlament duke thënë se “ky është një aktivitet kriminal që ka domosdoshmërinë e mbështetjes së Ministrit të Brendshëm dhe të kryeministrit, personalisht”
“Vëllai i Fatmir Xhafës kontrollon 1 nga 3 kompani të industrisë së bixhozit. Vëllai i Edi Ramës ka monopolin e monitorimit të pikave të basteve. Operacioni i lojrave të fatit pati vetëm një qëllim: Futjen në dorë të industrisë së bixhozit nga familja e kryeministrit”, shprehet ai.
Në fund, Basha thekson se “industria e bixhozit kontrollohet nga krimi i organizuar. Bixhozi qarkullon 500 milionë USD në vit. Pasurimi me krimin e organizuar detyron Edi Ramën të refuzojë Vetingun në politikë”. /ATSH