“Lufta që po organizon Turqia përballë FETO-s është një luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”

Duke kujtuar se gjatë tentativës për grusht shteti humbën jetën 251 persona, ambasadori turk tha se këto janë akte terroriste të cilat i ka organizuar organizata terroriste FETO

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, mori pjesë në një emision televiziv në Shqipëri në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi, në përvjetorin e pestë të kësaj ngjarje, si dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke kujtuar se gjatë kësaj tentative, humbën jetën 251 persona, ambasadori turk tha se këto janë akte terroriste të cilat i ka organizuar organizata terroriste FETO.

“Mendoj që kur flasim për këto tema, edhe publiku shqiptar duhet t’i kuptojë akoma dhe më qartë se ato që ndodhën në Turqi natën e 15 korrikut kanë qenë ngjarje dramatike. Në orët e vona të asaj nate, të gjithë përfaqësuesit e partive politike ishin në atë moment në godinën e parlamentit”, u shpreh ambasadori Yörük.

I pyetur rreth qëllimit të këtij akti, ambasadori Yörük tha: “Objektivi i tyre ishte i hapur dhe i qartë dhe dihet tashmë sepse lideri i kësaj organizate Fethullah Gülen pretendon të jetë i dërguari i gjithë botës, kështu që në këtë sens, populli turk patjetër me gjithë forcën dhe mundësinë e tyre arriti që t’i dalë zot demokracisë. Përballë popullit ishin helikopterët, ishin avionët luftarakë që fluturonin në qiell. Si mundet që disa njerëz, të cilët janë të infiltruar brenda strukturave të shtetit të ngrihen në tentativë dhe në mënyrë të pamëshirshme të sulmojnë institucionet e tyre dhe njerëzit e tyre. Kështu që të gjithë e kanë pasur synim sulmimin dhe prishjen e rendit. Këtu bëhet fjalë për një synim dhe qëllim të vetëm të tyre”.

Nga pikëpamja e ambasadorit Yörük, kjo tentativë duhet të shikohet nga dy pika kritike.

“E para ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullit, mes të cilëve kishte edhe nga ata që dhanë jetën e tyre, kishte edhe shqiptarë. Këtë akt terrorist e arritën deri diku ta realizonin kundër popullit me uniforma ushtarake, të cilët ishin të infiltruar më parë brenda strukturës së ushtrisë. Nëse do të vinim tek pika më kritike e kësaj tentative, me qëndrimin dhe qasjen e vendosur nga presidenti (Recep Tayyip) Erdoğan, arriti në një farë mënyrë që të bëjë thirrje dhe me të gjithë bllokadat në orët e vona nga këta puçistë, arriti që të ftojë popullin në protestë kundër këtyre akteve terroriste”, tha ambasadori Ahmet Yörük.

Më tej gjatë fjalës së tij, ambasadori ka theksuar se tentativa për grusht shteti ka qenë e adresuar për presidentin Erdoğan dhe kryeministrin (Binali) Yıldırım.

I pyetur nëse kanë ngelur më puçistë pa u ndaluar pas 5 vitesh nga tentative për grusht shteti në Turqi, ambasadori Yörük u shpreh se sot edhe pse kanë kaluar 5 vite, lufta dhe përpjekja që po vijon Turqia në këtë kontekst adresohet për ata persona që kanë marrë pjesë në këtë grusht shteti.

“Një pjesë është arrestuar dhe i është dorëzuar organeve të drejtësisë, ku vazhdojnë dhe proceset gjyqësore. Kjo organizatë ka zgjatimet e saj jo vetëm brenda, por dhe jashtë Turqisë. Lufta që po organizon Turqia përballë kësaj organizate është një luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”, tha Yörük.

Sipas ambasadorit Yörük, organizata FETO ka prezencë edhe në Shqipëri.

“Në vitin 2018, unë kam ardhur si ambasador në Tiranë. Përgjatë kësaj kohe kam parë që nga dita në ditë, opinioni publik shqiptar është duke u ndërgjegjësuar ndaj kësaj organizate. Të gjithë miqtë dhe vëllezërit e mi shqiptarë e thonë me gjithë zemër që janë shumë të shqetësuar nga prezenca e FETO-s në Shqipëri”, theksoi ai.

I pyetur nëse mund të përsëritet sërish tentativë për grusht shteti në Turqi, ambasadori Yörük përdori një shprehje popullore: “Uji fle, armiku nuk fle”.

Duke folur për marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, Yörük u shpreh se “Turqia dhe Shqipëria janë dy shtete partner strategjikë.

“Kemi jetuar prej shumë shekujsh së bashku dhe vazhdojmë të jetojmë së bashku. Ne nuk jemi vetëm miq, por jemi mish e thua për njëri-tjetrin. Kemi lidhje farefisnore. Në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë se në çdo vend tjetër të Ballkanit, kështu që shqiptarët zënë vend të rëndësishëm në zemrat dhe mendjet e turqve”, përfundoi ambasadori Yörük.