Londër, fillojnë bisedimet kyçe të Brexit-it

May tha se një projekt-marrëveshje mbi Brexit-in është arritur me negociatorët e BE-se, në një ngjarje të madhe pas më shumë se dy vite të negociatave të Brexit-it

Takimi kyç i kabinetit të kryeministrit britanike, Theresa May, po zhvillohet për të diskutuar marrëveshjen e Brexit-it, të arritur javën e kaluar nga negociatorët në Bruksel, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ditës së djeshme, duke bërë thirrje për një mbledhje të rëndësishme të kabinetit, kryeministrja May tha se një projekt-marrëveshje mbi Brexit-in është arritur me negociatorët e Bashkimin Evropian (BE), në një ngjarje të madhe pas më shumë se dy vite të negociatave të Brexit-it.

Sipas raportimeve të mediave lokale, BE pranoi idenë e unionit doganor të tërë Mbretërisë së Bashkuar me bllokun e BE-së në një koncension për të kënaqur kërkesat britanike për të mbrojtur integritetin territorial të saj.

Versioni i mëparshëm i BE-së i opsionit të kufirit të hapur (opsioni “backstop”) do ta mbante Irlandën e Veriut të ankoruar në tregun unik të BE-së dhe në unionin doganor, përderisa të arrihej një zgjidhje për çështjen e kufirit në ishullin e Irlandës.

Në kthim, Britania raportohet të ketë rënë dakord se nuk do të lejohet të dalë nga opsioni i kufirit të hapur nëse dhe derisa BE të bindet se nuk ka perspektivë të kthimit të një kufiri të rreptë.

– Përplasja në Parlament

Kritika e parë për projekt-marrëveshjen erdhi gjatë seancës javore të pyetjeve për kryeministren në Parlamentin britanik para takimit të kabinetit.

Duke e përshkruar marrëveshjen e arritur me BE-në si një “dështim në kushtet e veta”, kreu i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, akuzoi kryeministrin britanike për krijimin e një marrëveshjeje “të bllokuar” pas më shumë se dy vjet negociata me BE-në.

“Partia Laburiste respekton rezultatin e referendumit, por nuk e respekton rrëmujën në të cilën vendi gjendet”, tha Corbyn.

May në përgjigje tha se, “Ne nuk do të përsërisim referendumin. Mbretëria e Bashkuar po largohet nga BE-ja më 29 mars të vitit 2019”.

Duke rikujtuar ligjvënësit për takimin e planifikuar të kabinetit, May tha se ajo do të njoftojë parlamentin për rezultatin. Ajo po ashtu theksoi se parlamenti do të ketë “votën domethënëse” për marrëveshjen përfundimtare.

Shenjat e para të kundërshtimit të projekt-marrëveshjes erdhën nga “Tories”, pasi deputeti konservator Peter Bone tha se nëse raportimet e mediave për marrëveshjen janë të sakta, May “nuk është duke dhënë atë që populli britanik votoi”. Ai paralajmëroi se May do të humbasë mbështetjen e deputetëve “Tories” dhe miliona votuesve të tyre.

Komentet e tij sinjalizuan një kundërshtim më të gjerë nga ministrat dhe deputetët e Partisë Konservatore, që do ta bënte pothuajse të pamundur që May të merrte miratimin e parlamentit për projekt-marrëveshjen.

Duke iu përgjigjur deputetit Bone, May tha se marrëveshja do t’i japë fund lëvizjes së lirë dhe do të dorëzojë votën e referendumit, duke mbrojtur vendet e punës.

Tre ministra të qeverisë, duke përfshirë ish-sekretarin e jashtëm Boris Johnson dhe sekretarin e Brexit-it David Davis, më herët këtë vit dhanë dorëheqjen për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Brexit-in me kryeministren.

Jo Johnson, ish-ministri britanik i Transportit dhe një politikan pro BE-së javën e kaluar ishte ministri i fundit që lëshoi kabinetin e kryeministres May.

– Kundërshtimi skocez

Ian Blackford, kreu i Partisë Kombëtare të Skocisë (SNP) në estminster, pyeti pse Skocia nuk mund të ketë të njëjtën marrëveshje që Irlanda e Veriut është raportuar ta ketë. Ai tha se “Skocia duhet të qëndrojë në unionin doganor dhe tregun e vetëm për të mbrojtur vendet e punës”.

“Nëse Irlanda e Veriut mund të ketë një marrëveshje të veçantë, pse jo edhe Skocia?”, pyeti Blackford, duke lënë të kuptohet se SNP nuk do të mbështesë as marrëveshjen.

Qeveria skoceze ka akuzuar qeverinë qendrore britanike se nuk ka përfshirë vendin në negociata që nga fillimi i bisedimeve të Brexit-it.

– Faktori DUP

Arlene Foster, liderja e Partisë Demokratike Unioniste (DUP), e cila udhëtoi të mërkurën në Londër, ka thënë se nuk do të mbështesë kryeministren May për një marrëveshje tërheqjeje që do ta shkëpuste Irlandën Veriore nga Britania.

Duke folur për Sky News, Foster tha se dhjetë deputetët e tyre në Westminster, mbështetja e të cilëve bëri të mundur formimin e një qeverie të pakicës pas humbjes së shumicës parlamentare në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, do ta refuzonin draft tekstin nëse ai do ta lidhte Irlandën e Veriut me rregullat e BE-së.

Sipas projekt-marrëveshjes, rajoni i Britanisë do të mbetet në përputhje me rregulloret e BE-së në një përpjekje për të shmangur një kufi të vështirë në mes të Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

“Pyetja është nëse ne e ndajmë unionin, nëse kemi të bëjmë me Mbretërinë e Bashkuar në një mënyrë që na lë të lirë në të ardhmen dhe, si udhëheqëse e unionizmit në Irlandën e Veriut, nuk jam gati të pajtohem me këtë”, ka thënë ajo.

Duket të jetë e vështirë që May të fitojë dritë jeshile nga parlamenti për projekt-marrëveshjen pa mbështetjen e dhjetë deputetëve të DUP.

– Irlanda

Ndërkohë, kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ka thënë se një samit emergjent i BE-së mund të zhvillohet më 25 nëntor, varësisht nga rezultati i takimit të kabinetit britanik.

Komentet e Varadkar erdhën pas raportimeve se marrëveshja pranon opsionin e kufirit të hapur në ishullin irlandez, i cili do ta mbajë Irlandën e Veriut në unionin doganor dhe në tregun e vetëm të BE-së dhe do të shmangë opsionin e kufirit të rreptë në ishull.

Muajin e kaluar, krerët e BE-së thanë se nuk janë duke planifikuar një takim të jashtëzakonshëm mbi Brexit-in në nëntor.

Britania, BE-ja, Irlanda dhe Irlanda e Veriut kanë thënë se nuk duan kthim në një kufi të rreptë midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut.

– Çfarë më pas?

Takimi i kabinetit të thirrur nga May do të pasohet nga një deklaratë nga kryeministrja, të cilën ajo pritet të lëshojë të enjten.

Takimi është shumë i rëndësishëm, pasi May duhet të bindë anëtarët e kabinetit të saj për projekt-marrëveshjen.

Marrëveshja, nëse dakordohet dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e kabinetit, do të sillet në parlament për debat dhe një “votim domethënës”.