Lirohet ish drejtori i akuzuar për korrupsion Dashamir Xhika

Gjykata: I sëmurë, nuk përbën rrezik për të ikur nga Shqipëria

Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda ka liruar nga burgu ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika. Trupi gjykues pranoi kërkesën e avokatit duke vendosur që Xhika të hetohet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ish-kreu i Autoritetit Rrugëve u prangos me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Xhika, së bashku me Andi Tomën, ish-drejtorin e Rrugëve, që u lirua në maj të këtij viti dhe disa zyrtarë të tjerë u arrestuan në datë 2 shkurt për abuzime me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar në vlerën e 5 mln eurove. Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë është marrë në datë 23 korrik, ndërkohë që hetimet ndaj tij tashmë do të vijojnë në “arrest shtëpie”. Në vendim theksohet: “Xhika nuk ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, nuk ka rrezik për t’u larguar jashtë vendit dhe hetimet kanë përfunduar dhe nuk mund të ndërhyjë në hetime. Është person i arsimuar dhe nuk ka rrezik për të ikur”. Por Xhika nuk është i akuzuar vetëm për dosjen e Gjinarit, por edhe për aksin Tiranë-Elbasan, i nisur shumë vite më parë dhe ende i papërfunduar. Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan ishte parashikuar të kushtonte 407 milionë dollarë sipas kontratës së qeverisë shqiptare me bankën islamike në vitin 2011. Por, në auditin e Ministrisë së Infrastrukturës në materialin kallëzues theksohet se ka një dëm prej 54 milionë dollarë. Për hetimet për rrugën Tiranë-Elbasan janë marrë në pyetje në prokurori edhe ish-ministrat Haxhinasto dhe Dervishaj.

Arrestimi i Xhikës

Xhika u prangos mbrëmjen e 2 shkurtit 2018 së bashku me 2 ish-vartësit e tij Albens Alite dhe Aksel Qorduku. Arrestimet u kryen pas hetimeve të nisura nga prokuroria e Elbasanit më 11 prill 2017 për veprat penale “vjedhje dhe shpërdorim detyre”. Ndërkohë në dhjetor 2017, ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri bëri kallëzimin në prokurori për shkelje në zbatimin e kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Sipas prokurorisë, tre zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bërë të paktën 12 amendime të kontratës fillestare, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53 milionë e 983 dollarë ndërsa është konstatuar edhe shkelje e disiplinën financiare në vlerën e 16 milionë e 177 dollarë. Dashamir Xhika ka drejtuar këtë sektor nga viti 2013 deri në shtator 2017. Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe Albens Alite, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë ndodhen në “arrest me burg” që prej momentit të arrestimit.

Auditimi

Përveç dëmit prej rreth 54 milionë dollarë, auditi konstatoi edhe një shkelje të disiplinës financiare, me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Ky dëm, sipas auditit, është shkaktuar nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës, pa burime financimi.

Po kështu, raporti i dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shkruan se 25,220,016 dollarë dëme janë shkaktuar nga mosargumentimi i vonesave për zgjedhje teknike financiere të çështjeve të dala, moszbatimi i detyrimeve të lëna nga Këshilli Teknik për kontraktonin e rrugës, duke i lënë hapësirë këtij të fundit për pretendime në zbatimin e projektit për segmentin nr. 1, duke mos përfshirë asistencën e Avokaturës së Shtetit në këtë çështje.

Po kështu, 11,665,552 dollarë dëme janë shkaktuar në të njëjtën mënyrë si më lartë, por kësaj here për një segment tjetër të rrugës, atë nr. 3. Raporti thotë, se 10,816,007 dollarë dëme janë shkaktuar nga pagesat e dyfishta për punë të përfunduara më parë si edhe të shlyera para nënshkrimit të amendimit. Bëhet fjalë për para të hedhura edhe një herë, që s’dihet se ku kanë përfunduar, për një punë që është kryer sipas një kontrate te vitit 2016. Raporti konstaton edhe një diferencë çmimesh mes llogaritjeve dhe aplikimit për disa punime të kryera në një segment tjetër, që kap shifrën e 2,916,900 dollarëve, raporton Sot.

Për transportin e disa materialeve të rrugës janë paguar 1,269,000 dollarë në mënyrë të pajustifikueshme. Për punimet e kryera te “Useku i Mulletit”, është konstatuar një diferencë mes çmimit të aplikuar dhe atij të llogaritur prej 972,074 dollarësh. 632,839 dollarë dëme janë shkaktuar nga nënshkrimi i një amendament-kontrate me vlerë më të madhe se vlera e diskutuar dhe miratuar në parim nga palët; 454,000 dollarë dëme nga pagesa dy herë e projektit “Useku i Mulletit” dhe 36,955 dollarë nga shtimi i disa zërave për rehabilitimin e një segmenti shumë të shkurtër.