Lirimi i infermiereve, avokati i familjes së të moshuarës: Besimi në drejtësi u shua!

Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret, reagoi pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të dyshuarave. Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se “sot besimi në drejtësi për këtë rast u shua”. “Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të…

Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret, reagoi pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të dyshuarave.

Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se “sot besimi në drejtësi për këtë rast u shua”.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës, ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, deklaroi Selimaj.

Gjykata Supreme i liroi nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë iu ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.