“Liria e medias nuk mund jetë zonë e sigurt e abuzimit për grupet terroriste”

"Në emër të lirisë së medias, një gazetar nuk mund të vrasë njeri, nuk mund të mbështesë terrorin, nuk mund të zbulojë sekretet shtetërore, një gazetar nuk mund të jetë pjesë e një puçi ushtarak antidemokratik", tha Şahin

Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe deputeti i Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AK) në Turqi nga qyteti i Gaziantepit, Ali Şahin, theksoi se liria e medias nuk mund jetë zonë e sigurtë e abuzimit për organizatat terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në lidhje me raportin “Liria e Medias dhe Zgjedhjet Demokratike” në sesionin e zakonshëm të vitit 2019 të APKE-së në Strasburg, Şahin potencoi se liria e medias është një ndër elementet themelore të demokracisë.

Ai tha se liria e medias do të thotë “liri e shprehjes”, porse me internetin definicioni i medias dhe epiqendra e saj është ndryshuar. Şahin tha se platformat si Twitter, Youtube, Facebook dhe Instagram, kanë fituar më shumë rëndësi se mjetet profesionale të medias, si gazetat, revistat dhe televizionet.

“Nëse besojmë në demokraci, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit, duhet ta kemi parasysh se liria e medias nuk mund të vihet në dyshim”, tha ai.

Anëtari i APKE-së potencoi se çështja e lirisë së medias në vitet e fundit është duke u abuzuar në mënyrë të vetëdijshme nga ana e organizatave kriminele dhe terroriste, duke u përdorur si një mburojë mbrojtëse.

Şahin theksoi se liria e medias nuk mund të jetë zonë e sigurtë e abuzimit për organizatat e krimit dhe terroriste, subjektet separatiste dhe ekstremiste. Sipas tij, në emër të lirisë së medias nuk mund të kërcënohet uniteti dhe integriteti i shteteve.

“Në Turqi as edhe një gazetar nuk është burgosur për liri të shprehjes”

Şahin, mes tjerash, theksoi se veçanërisht rrjetet sociale abuzohen nga njerëzit me qëllime të këqija të cilët janë kundër demokracisë.

“Në emër të lirisë së medias, një gazetar nuk mund të vrasë njeri, nuk mund të mbështesë terrorin, nuk mund të zbulojë sekretet shtetërore, një gazetar nuk mund të jetë pjesë e një puçi ushtarak antidemokratik, nuk mund të bëjë grusht shteti. Nëse një gazetar kryen krime të tilla, nuk mund të jetë gazetar, nuk mund ta shohim atë si gazetar. Në Turqi, as edhe një gazetar nuk është burgosur për liri të shprehjes”, thotë ai.

Deputeti turk tha se rrjetet sociale janë shndërruar në hapësira ku zhvillohen propaganda terroriste dhe diskreditohen qeveritë e zgjedhura, të cilat abuzohen nga subjekte ekstremiste dhe organizatat terroriste.

Sipas tij, një ndër kërcënimet shqetësuese me të cilat bota përballet sot është ndërhyrja në zgjedhje nëpërmjet medias digjitale dhe sociale duke krijuar një mjedis dyshimi, pasigurie dhe konfuzioni.

Ai thotë se është përgjegjësi e çdokujt të mbrohet dhe përforcohet liria e medias, të parandalohet manipulimi i zgjedhjeve në një vend tjetër nga ana e forcave të huaja nëpërmjet rrjeteve sociale dhe masmediave.

“Duhet të zhvillojmë mekanizmat të cilat do të parandalojnë abuzimin e të gjitha mediave, duke përfshirë edhe rrjetet sociale, nga organizatat terroriste, separatistët, ekstremistët dhe diskurset shkatërruese të urretjes”, ka shtuar ai.