Lindita Nikolla: Djegia e mandateve akt kundër demokracisë

Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla e cilësoi djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës si një akt i cili shkon kundra demokracisë në vend.

Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla e cilësoi djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës si një akt i cili shkon kundra demokracisë në vend.

Gjatë një interviste televizive, Nikolla u ndal edhe te komentet e bëra nga ana e deputetes Rudina Hajdari për djegien e mandateve nga ana e opozitës, duke theksuar se qëndrimet e opozitës janë të paprecedenta.

“Para se të vija këtu dëgjova kolegen Hajdari që dha një përgjigje shteruese, duke e cilësuar të nxituar vendimin për djegien e mandateve, që shkon kundra demokracisë. Qëndrimet e opozitës janë të paprecedenta, qoftë ajo e ftesa për dhunë, apo kalimi i tejskajshëm në djegien e mandateve, që është qartazi një akt kundër sistemit demokratik. Këto janë pritshmëritë edhe për datën 16, patjetër që vendimi i djegies së mandateve ushqen skepticizmin e disa prej vendeve anëtare që e shikojnë me dyshim çeljen e negociatave për Shqipërinë. Nga ana tjetër ka dhe një impakt te siguria, zhvillimi ekonomik, dhe një hap mbrapa për integrimin e Shqipërisë në BE. Ajo çfarë ne po shikojmë janë shfaqjet e dhunës në protestat që po organizon opozita, duke drejtuar dhunë jo vetëm ndaj policisë, por edhe ndaj institucioneve dhe njerëzve të zgjedhur nga këto institucione. Të gjithë e kemi parë ato çfarë kanë ndodhur me deputetët”, – u shpreh Nikolla.

Gjatë intervistës ish-ministrja u pyet edhe për situatën e krijuar ditën e sotme në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”, duke përshëndetur vendimin e marrë nga e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për shkarkimin e drejtorit të Policisë së Tiranës.

“Policia në këtë rast nuk ishte në lartësinë e detyrës për të shfaqur integritet dhe dinjitet, teksa realizon edhe një detyrim që buron nga ligji. Për këtë arsye edhe ministri i Brendshëm, edhe Drejtori i Policisë së Shtetit kanë reaguar menjëherë duke shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë së Tiranës, por duhet thënë që policia ka si detyrim që të jetë e pranishme kur ekzekutohet një vendim gjykate, ndërsa pamjet e dhunshme nuk ishin pjesë e strukturave të policisë”, – u shpreh Nikolla.

Përsa i përket pranisë së Policisë në protestën e studentëve të zhvilluar pak kohë më parë, e cila u shoqërua me bllokimin e disa fakulteteve, Nikolla theksoi se prania e Policisë kishte ardhur si kërkesë nga ana e administratorit të Universitetit të Tiranës.