Konglomerati turk Limak Holding prezantoi sot në Shkup projektin e saj, për ndërtimin e një kompleksi multifunksional, afarist dhe të banimit, i cili do të ndërtohet në afërsi të stacionit të vjetër hekurudhor, bashkë me një tunel dhe rrugë me gjashtë korsi në dy drejtime, raporton Anadolu Agency (AA).
Në prezantimin e projektit në fjalë, të titulluar “Limak Diamon”, u tha se i njëjti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 325.000 metra katrorë dhe do të kushtojë 250 milionë euro.
Serdar Bacaksiz, nga Bordi Drejtues i Limak Holding, tha se projekti është i një rëndësie të veçantë për të, sepse është projekti i parë jashtë vendit ku ndjehet si në shtëpi të vet.
Për kompaninë e tij, tha se është lidere në këtë fushë.
“Do të theksoja se i gjithë kompleksi do të ndërtohet me standardet më të larta sizmologjike, përfshirë edhe standardet tjera të nevojshme, ndërsa muzeu i Qytetit të Shkupit, do të integrohet autentikisht brenda këtij kompleksi”, tha Bacaksiz.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i pranishëm në eventin në fjalë, tha se është i lumtur nga fakti se projekti do të ndërtohet nga një kompani me renome botërore, meqë mund të shërbejë edhe si një nxitje për investitorët tjerë të vijnë në Maqedoni.
“Hyrja e Limak Holding në portofolin e vendit tonë për investitorë të huaj, si një nga kompanitë që bashkon aftësitë teknike dhe përvojën e gjatë me përgjegjësinë shoqërore dhe etikën e biznesit, padyshim se është faktor që do të inkurajojë të gjithë investitorët potencialë të vijnë në vendin tonë”, tha Zaev.
Zëvendëskryeministri Koço Angjushev, nga ana e tij theksoi rëndësinë ekonomike të projektit në fjalë për Prodhimin e Brendshëm Brutor (PBB) të Maqedonisë.
“Investimi prej 250 milionë euro për 40 muaj, do të thotë pesë milionë euro në muaj në PBB-në”, tha Angjushev.
– Kryevepër arkitekturore e Shkupit
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, në fjalimin e tij tha se kjo është hera e parë që në Shkup fillon të ndërtohet një rrugë nëntokësore me 6 korsi, që do të ketë një gjatësi prej 800 metra.
“Vet kompleksi do të mundësojë rritjen e pranisë në këtë kryevepër të arkitekturës në Shkup (stacioni i vjetër i trenit), që do të inkorporohet në kryeveprën e arkitekturës moderne të Shkupit (Limak Diamon)”, tha kryetari Shilegov.
Kompleksi multifunksional është projektuar në përputhje me nevojat bashkëkohore si dhe me mënyrën e jetesës së qytetarëve të Shkupit, ndërkohë që përfshinë një kalim nëntokësor prej rreth 800 metra, përfshirë edhe zonat e banuara, 772 njësi banimi, qendër tregtare me zyra, një hotel me 142 dhoma, hapësira për aktivitete të lira kulturore, restorante, kafene, palestër dhe parking me kapacitet për 2800 automjete.
Në fillim të projektit do të punojnë 1.300 persona.