Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e ish-zyrtares Alda Klosi për zbutje të masës së sigurisë dhe vendosi ta lejë në burg.
Me argumentin se ka dy fëmijë të mitur dhe duhet të kujdeset për nënën e saj të verbër, Klosi kërkoi lirinë nga burgu, e cila u hodh poshtë nga gjyqtarja Irena Brahimi. Avokati përdori si arsyetim edhe gjendjen shëndetësore të Klosit, e cila për disa ditë pas arrestimit u kurua në QSUT.
ADVERTISING
Avokati i Alda Klosit, Ilirjan Muho në një deklaratë për mediat tha se duhet të provohet vërtetësia e deklarimit të dhënë nga Rozeta Dobi.
“Gjykata e Apelit vlerësoi të rregullt edhe kërkesën duke lënë në fuqi arrestin me burg. Qëndrimi i saj është bërë publik, ka pranuar faktin se banesa është vjedhur, nga të cilat 120 mijë janë një hua që vëllai i saj ka marrë për nevoja të kurimit të xhaxhait të saj të ndjerë në Amerikë. Gjithçka në të ardhmen do të kompensohej me një truall në zonë pranë “21 Dhjetorit”. Prokuroria para disa ditësh ka bërë një sekuestro të një apartamenti të regjistruar në emër të ish-bashkëshortit të saj. Prokuroria duhet të provojë deklaratën. Duhet të provohet vërtetësia e deklarimit të dhënë nga Rozeta Dobi. Alda Klosi kaloi një periudhë jo të mirë shëndetësore pas ndalimit. U shtrua dhe u kurua në spital në QSUT. Doli nga spitali në gjendje disi të përmirësuar, por sipas kartelës klinike të lëshuar nga mjekët, duhet të jetë në vëzhgimin e mjekëve, pasi ka tendenca për një hipertoni që mund të sjellë pasoja për shëndetin e saj”, tha ai.
Arrestimi i Alda Klosit erdhi pas dëshmisë së sanitares Rozeta Dobi e cila më herët ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove nga shtëpia e zyrtares. Një kontroll i dytë i banesës së Rozeta Dobit dhe të birit Havier Dobi zbuloi dhe 405 mijë euro të tjera të cilat mbetën pa zot.
Pak ditë më parë, ish-zyrtares iu sekuestrua një apartament dhe një garazhd.
Thellimi i hetimeve nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit si edhe pyetja për disa orë e sanitares Rozeta dobi zbuloi se gjithçka ka qenë inskenim dhe paratë e gjetura në banesë nuk ishin vjedhur por ish-zyrtarja e lartë ia kishte dhënë për t’i fshehur.