Liderët e vendeve të Ballkanit takim në Tiranë

Takimi ka mbledhur së bashku Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç

Në Shqipëri është mbajtur takimi i radhës i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, me fokus diskutimet për eliminimin e pengesave për qarkullim e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, raporton Anadolu Agency(AA).

Takimi në Tiranë ka mbledhur së bashku Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Bankës Botërore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Komisionit Evropian (KE).

Në konferencën e përbashkët, liderët pjesëmarrës në takim folën mbi diskutimet e tyre, rëndësinë e iniciativës për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” dhe për çështje të tjera.

Rama: Ky proces është në koherencë me ambicien për t’u bërë pjesë e familjes evropiane

Kryeministri Rama theksoi se takimi shërben për të çuar përpara procese të nisura prej vitesh dhe për të zbatuar marrëveshje të bëra prej vitesh.

“Ndajmë së bashku fatet tona në një territor, në një hapësirë, ku jemi të gjithë të detyruar të kapërcejmë të shkruarën dhe të ndërtojmë një të ardhme të denjë, në paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë. Nuk do të lodhem së përsërituri që kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk ka kushte, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush. Për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe mendoj që është i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se janë mbledhur për të ndërtuar urë midis së shkuarës dhe të ardhmes, sipas tij “midis një të shkuarës që na ndan dhe një të ardhme që na bashkon. “Bindja ime e thellë është se gjithë ky proces është në koherencë të plotë me ambicien e shprehur nga të gjitha vendet për t’u bërë pjesë e familjes evropiane”, tha Rama.

Duke iu referuar mungesës së Kosovës në takim, në një deklaratë për mediat pas konferencës së përbashkët, Rama tha se “Unë do të ndieja përgjegjësi personale nëse Kosova nuk do ishte ftuar apo në rast e do të kishte ndonjë kusht për Kosovën”.

Duke folur mbi deklaratat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me këtë iniciativë, Rama, në deklaratën e tij tha se “Gënjen nga padija apo gënjen qëllimisht, unë këtë nuk kam arritur ta zbuloj dhe nuk kam ndërmend të merrem me këtë zbulim. E vërteta është se këtu nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka thjesht dhe vetëm një qëllim të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve”.

Zaev: Jemi të fokusuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian 

Në fjalën e tij në konferencë, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, theksoi se vendet pjesëmarrëse në këtë takim janë të fokusuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe shtoi se “së bashku mund të bëjnë më shumë”.

“Kemi vendosur në shkurt që të nënshkruajmë një memorandum për lëvizjen e lirë të njerëzve vetëm me kartat e identitetit dhe të unifikojmë procedurat për dhënien e lejeve të punës për të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit qoftë nga Serbia, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, duke i harmonizuar këto procedura. Ne do të kemi mundësi që qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë të përfitojnë nga një sistem i tillë , pra që të ketë një procedurë të vetme për dhënien e vizave apo lejeve për punë”, u shpreh Zaev.

Zaev tha se ajo që është me rëndësi dhe theksuar në këtë moment është se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të presin mesazhe pozitive në pranverën e ardhshme. “Takimi tjetër planifikohet të zhvillohet në Beograd. Unë jam dakord siç tha edhe presidentit Gjukanoviç që takimi tjetër të zhvillohet në Podgoricë. Ne do të jemi të gëzuar ta vazhdojmë pastaj në Sarajevë, në Prishtinë dhe në maj kur të përfundojmë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të kemi mundësi të ju mirëpresim”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Vuçiç: Ajo çfarë është e rëndësishme është që bashkëpunimi të bëhet sa më intensiv 

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, u shpreh se ajo çfarë është e rëndësishme për vendet është që bashkëpunimi të bëhet sa më intensiv.

Presidenti serb, duke iu referuar tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërisë, tha se Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash Shqipërinë.

“Diskutimet që kemi zhvilluar ishin në funksion të intensifikimit të përpjekjeve tona dhe të të bërit të marrëveshjeve tona më konkrete. Kam përshtypjen që një propozim që do të shohim dhe në takime të tjera do të jetë përafrimi i shumë rregulloreve në mënyrë që të bëjmë sa të jetë e mundur një treg unik të 11 apo 12 milionë qytetarëve që është më i madh, që është më i mirë për të gjithë ne dhe gjithashtu me gjerë për Bashkimin Evropian. Kjo është diçka shumë e rëndësishme për ne që jemi vende të vogla me pak banorë”, u shpreh Vuçiç

“Mali i Zi është shumë i angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal” 

Në vlerësimin e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, kjo iniciativë është përfshirëse dhe sipas tij të gjithë ata që e shohin të mirën e kësaj iniciative mund të bashkohen me të, “ose në pjesë të caktuar të saj ose me gjithë këtë iniciativë.”

“Mali i Zi është shumë i angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Iniciativat rajonale krijojnë mundësi të shkëlqyera për të rifreskuar dhe përmirësuar besimin midis vendeve të rajonit dhe për të kontribuar për zhvillimin e vendeve tona dhe zhvillimin e rajonit përmes këtij bashkëpunimi. Iniciativat rajonale krijojnë mundësi të mëdha që ne të forcojmë kapacitetet për bashkëpunim në kuadër të iniciativave më të gjera ku ne duam të jemi anëtarë”, tha presidenti malazez.

Gjukanoviç tha më tej se duhet të nxitet dialogu për çdo temë me rëndësi dhe theksoi se “Është shumë e rëndësishme që aktivitetet e iniciativës së minishengenit të jenë në harmoni me iniciativa të tjera”.

Në deklaratën nga punimet e takimit të tretë rajonal të Ballkanit Perëndimor, publikuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, thuhet se liderët analizuan progresin për të zbatuar katër liritë në rajon, “për të çuar para qëllimin që ka secili vend në rajon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Sipas deklaratës, palët kanë rënë dakord të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për njohjen e shërbimeve të besueshme dhe certifikatave elektronike.

“Liderët kanë rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik. Liderët ripohuan angazhimin që kanë ndaj perspektivës Evropiane të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksuan që mbledhjet në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë synojnë të rrisin përgatitjen e rajonit për anëtarësimin në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, Kosova nuk mori pjesë në takimin e tretë të shteteve të rajonit për idenë e “Minishengenit ballkanik”, pavarësisht se ishte ftuar presidenti Hashim Thaçi.

Kujtojmë se gjatë kohës së mbajtjes së takimit mes liderëve, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të Shoqatës “Çamëria” dhe qytetarë protestuan kundër qëllimeve të takimit dhe kundër pjesëmarrjes në takim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke kundërshtuar sipas tyre idenë e “Minishengenit ballkanik”.

Takimi në Tiranë ishte në vijim të dy takimeve të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi, dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut.