Liderët e rajonit në një takim joformal në Tiranë, kush e përfaqëson Kosovën

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë sot në takimin joformal në Tiranë, të ftuar nga kryeministri, Edi Rama.

Liderët e rajonit së basku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në mesditën e të hënës, në takimin joformal, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, sipas burimeve, Kosova do të përfaqësohet nga një zëvendëskryeministër.

Kryeministri Kurti, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.