Liderët botërorë urojnë Turqinë për Ditën e Republikës

Në mesin e liderëve që kanë dërguar urime janë Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, Mbreti i Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz, Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa Al Khalifa dhe Kryeministri i vendit, Khalifa bin Selman Al Khalifa

Liderët botërorë kanë dërguar urime për 29 Tetorin, Ditën e Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesin e liderëve që kanë dërguar urime janë Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, Mbreti i Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz dhe Princi saudit Kurorës, Muhammed Bin Selman, Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa Al Khalifa dhe Kryeministri i vendit, Khalifa bin Selman Al Khalifa.

Kryeministri i Pakistanit në mesazhin e publikuar duke e uruar 95 vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, ka shprehur kënaqësinë për urimin e popullit dhe qeverisë për një ditë të tillë.

Ai theksoi se Turqia është një shtet i popullit që nuk i nënshtrohet imperializmit dhe kolonializmit, ndërsa rikujtoi se muslimanët e nënkontinentit e kanë mbështetur Turqinë në Luftën e Pavarësisë së saj.

“Është një kënaqësi e madhe që paraardhësit tanë qëndruan me vëllezërit dhe motrat e tyre turke gjatë luftës së tyre kombëtare. Vëllezërit tanë turq kanë qëndruar në mënyrë të ngjashme në anën tonë, gjatë çdo momenti sfidash dhe vështirësish”, ka shkruar Khan.

Khan përshëndeti përparimin e Turqisë nën udhëheqjen e tanishme në arenën ndërkombëtare, ndërsa uroi që marrëdhëniet mes dy vendeve të vazhdojnë të zhvillohen dhe të përforcohen.

“Rroftë Turqia, rroftë vëllazëria Pakistan-Turqi”, ka shkruar ai.

– Mbreti Selman dhe Princi i Kurorës Muhammed bin Selman

Ndërkohë edhe Mbreti i Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz dhe Princi i Kurorës, Muhammed Bin Selman kanë uruar Ditën e Republikës së Turqisë duke dërguar një telegraf presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Arabisë Saudite, SPA, Mbreti Selman dhe Princi i Kurorës në telegrafin drejtuar presidentit Erdoğan, kanë shprehur urimet më të sinqerta qeverisë dhe popullit turk, si dhe shëndet dhe lumturi.

Gjithashtu edhe Mbreti i Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa dhe kryeministri i vendit Khalifa bin Selman Al Khalifa i kanë dërguar Erdoğanit urime me rastin e Ditës së Republikës.