Rreth 236 nxënës në Urën Vajgurore janë pajisur sot me libra falas, ndërkohë që procesi po vazhdon edhe në shkollat e tjera të Qarkut të Beratit.
Prefekti i Beratit, Harrilla Dafa konfirmoi për ATSH-në se, sot u shpërndanë tekstet shkollore për 196 nxënës nga klasa e parë në të katërtën në shkollën “Sali Gjuka” në Urën Vajgurore.
Po ashtu, sipas prefektit Dafa, tekste falas kanë përfituar edhe 40 nxënës nga klasa e V në të IX, të cilët i përkasin shtresave në nevojë, komunitetit rom-egjiptian etj.
“Sot, bashkë me kryetaren e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Mema ishim në shkollën ‘Sali Gjuka’ ku shpërndamë libra falas për 196 nxënës nga klasa e I në të IV. Këta nxënës përfituan nga vendimi i fundit i qeverisë, ndërkohë që edhe 40 nxënës të tjerë që i përkasin shtresave në nevojë, por mësojnë nga klasa e V në të IX u pajisën me libra falas”, tha Prefekti Dafa për ATSH-në.
Ura Vajgurore në total ka 17 shkolla dhe procesi i shpërndarjes së librave po shkon drejt përfundimit. /ATSH