“Lezha që duam”, Lindita Nikolla: Në qershor fitojmë bashkinë për një model të ri

 Deputetja Lindita Nikolla, ka folur në cilësinë e drejtueses politike të Partisë Socialiste të qarkut Lezhë, për investimet e reja në këtë qark, të cilat përmbushin ambicien e qeverisë për zhvillimin e këtij rajoni.

Deputetja Lindita Nikolla, ka folur në cilësinë e drejtueses politike të Partisë Socialiste të qarkut Lezhë, për investimet e reja në këtë qark, të cilat përmbushin ambicien e qeverisë për zhvillimin e këtij rajoni.

Nga studioja e ERTV, ku ndër të tjera foli për projektet e rrugës së Torovicës, rrugës Shëngjin-Velipojë, unazën e re të Rrëshenit, punimet që do të fillojnë në spitalin e Lezhës dhe projektet për zhvillimin e turizmit, Nikolla u shpreh e sigurt për fitoren që PS do të ketë në Lezhë në zgjedhjet e qershorit.

Teksa komentoi performancën e bashkive të qarkut Lezhë, Nikolla tha se modeli i suksesit dhe i punës që është ngritur në bashkinë Mirditë, e drejtuar nga një socialist, do të përfshijë edhe bashkinë e Lezhës kur kjo të fitohet në qershor nga socialistët, raporton ATSH.

“Në qarkun tim ka modele transformimesh rrënjësore me në qendër qytetarin, dhe këtu i referohem bashkisë Mirditë. Unë drejtova fushatën në të tre bashkitë dhe kam parë se si njerëzit reagonin, si ishin realistë, edhe pse nuk ka munguar kritika, por ajo që gjithmonë ishte kryefjala e vlerësimit të tyre, fakti që kryetari i bashkisë Mirditë ishte pranë tyre, ishte i pranishëm në të gjitha komunitetet e bashkisë, ashtu sikurse në bashkinë Lezhë kam parë edhe momente të vështira të kryetarit të bashkisë, momente që e largonin nga funksioni si menaxher i kontributeve, i burimeve komunitare. E rëndësishme është të themi që edhe në Lezhë do ia dalim që kandidati apo kandidatja e PS të jetë në vijim në krye të bashkisë. Jam e sigurt për këtë, sepse kemi ndezur motorët dhe jemi në një komunikim intensiv me qytetarët”, tha Nikolla.

Deputetja e vuri theksin te procesi i komunikimit që Partia Socialiste dhe qeveria kanë me banorët e Lezhës për çfarë është bërë dhe do të bëhet, duke deklaruar se modeli që socialistët promovojnë për bashkitë është modeli i punës dhe zhvillimit, jo ai i fjalëve, siç e ka zakon opozita e vendit.

“E rëndësishme është që ne jemi të fokusuar te çështjet, te puna, vullneti për të folur gjithmonë me punë, ndryshe nga sa bëjnë kundërshtarët tanë. Para disa ditësh ishte kryetari i opozitës në Lezhë dhe fliste vetëm zi, zi, zi, me tone të forta të gjuhës së urrejtjes. Ajo që jemi duke bërë është që jemi fokusuar te kontaktet me njerëzit, për të parë sa dhe si po performojnë pushteti vendor dhe ekipet qendrore. Banorët e Lezhës kanë dëshirën të flasin me ne, e dinë se me ne mund të bëhet edhe më mirë, edhe më shumë, janë të qartë që zgjedhja e punës dhe jo e fjalëve është ajo që ndryshon realitetin për ta dhe fëmijët e tyre. Opozita derë më derë për të nxirë realitetin, thirrje për protesta, po kur të humbin në qershor do ta shohin”, deklaroi Nikolla.