Lejuan një shtetas në kërkim që të kalonte kufirin, SHÇBA ndalon dy oficerë të Kapshticës

Dy oficerë të Policisë Kufitare Kapshticë janë ndaluar nga SHÇBA, pasi akuzohen se kanë lejuar që të kalonte një shtetas në kërkim.

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të caktojë masën “Arrest me burg“ ndaj personave në hetim: “- N/Komisar B.D.,52 vjeç, me detyrë Përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Inspektor Ç.LL, 23 vjeç, me detyrë Specialist Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.”

SHÇBA njofton se këta punonjës policie në kundërshtim me detyrën kanë lejuar kalimin në këtë pikë kufitare të shtetasit A.Q., ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, duke dëmtuar interesat e hetimit penal ndaj tij.

Procesverbalet e ekzekutimit së bashku me aktet e procedimit penal i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.