Leje lindjeje për Gjin Gjonin, vendimi i KLD-së në Veting

“KLD shkeli në mënyrë flagrante ligjin, i dha leje lindjeje dyvjeçare gjyqtarit Gjin Gjoni në shkelje të hapur me ligjin”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa deklaroi se do t’i drejtohet gjykatës, dhe Komisionit të Vetingut për largimin nga drejtësia të të gjithë atyre që ngritën dorë kundër ligjit.

“KLD shkeli në mënyrë flagrante ligjin, i dha leje lindjeje dyvjeçare gjyqtarit Gjin Gjoni në shkelje të hapur me ligjin”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa deklaroi se do t’i drejtohet gjykatës, dhe Komisionit të Vetingut për largimin nga drejtësia të të gjithë atyre që ngritën dorë kundër ligjit.

Në një deklaratë për mediat, Gjonaj tha se me qëllim komandimin e një gjyqtari në pozicionin e kryetarit të Gjykatës Apelit Korçë, për shkak të shkarkimit nga detyra të kryetares aktuale me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit 10.10.2018, u mbajt mbledhja e KLD-së. “Në rendin e ditës të KLD-së që u njoftua vetëm disa orë para mbledhjes në të cilën për shkak të harkut të shkurtër kohor e bëri të pamundur pjesëmarrjen time në mbledhje si ministre e Drejtësisë, ishin përcaktuar dy çështje për të cilat do merrej vendimi: komandimi i një kryetari të ri për gjykatën e Apelit Korçë dhe delegimin e disa gjyqtarëve sipas kërkesave të gjykatave të ndryshme”, shpjegoi ministrja.

Por, pas zbardhjes së procesverbalit të datës 11.10 2018, Gjonaj tha se ishte vënë në dijeni se gjatë mbledhjes në rendin e ditës ishtë shtuar edhe një çështje tjetër e panjoftuar më parë lidhur me një kërkesë të gjyqtarit Gjin Gjoni për leje prindërore për një periudhë dyvjeçare.

“Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë të paligjshme është miratuar më votim nga anëtarët prezent të KLD-së ç’ka e bën shumicën e këtij institucioni edhe një herë autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme. Duke përfshirë në rendin e ditës në fund të mbledhjes shqyrtimin e kërkesë së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe duke vendosur miratimin e saj me argumentin se se është bërë me vajzë dhe do t’i duhen shpesh vizita në shtetin gjerman ku jeton familja e tij, KLD  është riafirmuar edhe një herë si mishërim i drejtësisë së vjetër, klienteliste dhe e korruptuar. Këto veprime të anëtarëve të KLD-së janë në shkelje të rëndë të rregullave procedurale të parashikuar nga legjislacionin në fuqi”, tha ministrja.

Ministrja e konsideroi aktin e marrë nga KLD, absolutisht të pavlefshëm.

“Ky akt administrativ i KLD-së, si një akt i marrë me procedurë të parregullt është për rrjedhojë absolutisht i pavlefshëm. Në këtë mbledhje kërkesa në fjalë u shqyrtua në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes , për më tepër KLD mund të marrë në shqyrtim duke vendosur për çështje që nuk janë përfshirë në rendin e ditës vetëm me votat e 2/3  të gjithë anëtarëve. Në kundërshtim të hapur me këtë dispozitë dhe parashikimeve ligjore të Kodit të Procedurave Administrative në mungesë  të kuorumit të nevojshëm madje duke përfshirë dhe vetë votën e Gjin Gjonit i cili ka votuar  për veten si kurrë me parë në historinë e saj”, tha Gjonaj.

“KLD i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave, edhe më keq vendim haptas i paligjshëm i KLD-së konstatohet edhe gjatë mbledhjes pasi ai nuk i është nënshtruar sipas detyrimit ligjor asnjë diskutimi në përmbushjen e kritereve ligjore për pranimin e kërkesës. KLD në njoftimin që ka bërë në mbledhje ka botuar në faqen e saj dy vendimet që lidhen me komandimin e kryetarit dhe delegimin e gjyqtarëve, duke mbajtur të fshehtë vendimin për gjyqtarin Gjin Gjoni”, tha Gjonaj.

Si anëtare e KLD-së dhe ministre e drejtësisë, tha Gjonaj, “do t’i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë si absolutisht të pavlefshëm marrjen e këtij vendimi të marrë në shkelje flagrante të ligjit, në të kundërt kërkesa do t’i drejtohet gjykatës për të anuluar këtë vendim të paligjshëm po ashtu dhe Komisionit të Vetingut me kërkesë publike për largimin nga gjyqësori të gjithë atyre që ka ngritur dorën kundër ligjit.

“KLD duhet të ndalë një herë  e mirë vendimmarrjet e paligjshme të cilat bien ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, legjislacionin në fuqi dhe interesat e qytetarëve”, tha në fund Ministrja e Drejtësisë. /ATSH