Lavjerrësi

Nga Redi Shehu

Lavjerrësi i orës së madhe që rëndë mbështetet në këndet e murit, lëkundet i palodhur i varur dhe i qetë. Ai nuk ka pse të merakoset, sepse, sa më shumë që koha kalon, sa më shumë që ai tundet, aq më afër pushimi ndodhet për të. Si një mobilje e palëvizshme qëndron përballë njerëzve të shkujdesur, të cilët indiferentë ndaj lëkundjeve të lavjerrësit, konsumojnë kohën. Koha, gjëja më e çmuar dhe për të cilën lëkundjet e tij janë të papërsëritshme, anashkalohet nxitimthi nga përditshmëria kusare e strukur në kthinat e trurit të njeriut modern.
I qetë, memec, lavjerrësi flet me gjestet e veta, çdo tundje është kohë, pasazh i çmuar i përjetësisë, i pakthyeshëm dhe ndoshta i shpërdorur. Tundet e tundet, por sa më shumë që tundet aq më pak njeriu shkundet.

Nën tingujt shpesh mashtrues të realitetit mendjelehtë, nën sirenën alarmuese të kurthit material, ai vazhdon të tundet si për të thënë se përtej gjithçkaje të dukshme dhe kokëfortë, qëndron koha, çasti i pakthyeshëm dhe i papërsëritshëm, ai moment aq pak i vlerësuar dhe i shpërfillur, i cili ndjek nga pas lëvizjet e lavjerrësit të cilat vulosin pakthyeshmërinë. Sipër qëndron ora, matësi i kohës, poshtë lavjerrësi vulos ikjen e saj.
Është nëpërmjet kohës që gjërat ndodhin dhe nëpërmjet saj ato edhe nuk ndodhin. Është nëpërmjet kohës që nuk e kupton se ajo ikën, po ashtu është nëpërmjet saj që e kupton se ajo fluturon. Gjithçka vërtitet rreth kohës e cila pamëshirshëm kufizon të tërën, ajo është korniza e tablosë së përditshmërisë, ajo është kornizë për nje jetë të tërë. Ajo është dëshmitarja, vrapuesja e pandalshme dhe e palodhur, që dëshmon qarkullimin e brezave, para syve të së cilës shpaloset dobësia jonë.

Koha, ndër krijimet gjeniale të Krijuest, një kafaz shumëdimensional i pashmangshëm, por edhe në shumë raste një burg i këndshëm në të cilin konsumohet sentenca hyjnore. Koha është ajo që në çdo moment të saj thërret, i thërret njeriut që ta përdorë atë jashtë kotësisë dhe meskinitetit, por, është pikërisht ajo më e shpërfillura prej tij.
Lavjerrësi megjithatë tundet, me një ftohtësi mekanike dhe mendjemadhe, ai nuk do t’ia dijë se çfarë solli tundja e mëparshme, as nuk do t’ia dijë nëse të gjitha tundjet së bashku i vlejtën ndokujt ndonjë gjë. Të vetmen gjë për të cilën ai merakoset është të konsumojë tundjet me përpikmëri, këtë barrë të rëndë që mban mbi supe. Në formë ritmike të palodhur djathtas-majtas e me radhë, ai prek cepat e kohës të fshehura në mijëra çaste të shpërfillura njerëzore nën veprime a fjalë ndoshta të parëndësishme në dukje, por që lavjerrësi nuk ka harruar t’i vulosë ato. I bindur në saktësinë e tij ai rregjistron fatkeqësinë e njërit apo lumturinë e tjetrit, dëshpërimin e një pale apo gëzimin e tjetrës, të bukurën dhe të shëmtuarën, kotësinë dhe kuptimploten, fillimin dhe fundin, lindjen dhe vdekjen.

Çdo person ka shumë për t’i thënë lavjerrësit të vet personal, i cili është tundur pa pushim në mes mendjes dhe zemrës së tij duke cekur herë njërën dhe herë tjetërn, i cili është tundur në mes të keqes dhe të mirës brënda tij, duke gërvishur herë njërën dhe herë tjetrën. Çdo person ka për t’i thënë shumë atij. Ashtu si një vogëlush para lavjerrësit edhe një plak para tij kanë shumë për t’i kërkuar. I pari t’i kërkojë se çfarë e pret, i dyti t’i përgjërohet për t’i treguar se sa shumë e ka mohuar.
Dikur në formën e një matësi hijeje, pastaj në formën e një instrumenti të qelqtë plot me rërë, më pas në formën e një lavjerrësi dhe sot, në formën kuadrate dhe të pamëshirshme të një matësi elektronik digjital, të gjithë së bashku punonin dhe punojnë për të njëjtin qëllim, kohën. Të vetmin koncept të pandryshueshëm, abstrakt dhe të paprekshëm, por që materializohet dhe vlerësohet nga këto instrumente duke e konkretizuar atë në një vlerë konsumi.

Vërtetuese e ikjes së pashmangshme, e rrudhosjes të së ardhmes, koha troket pulsin e historisë. Dëshmitare e pa anëshme, e pakorruptueshme dhe e sertë, bën që iluzionet, zhgënjimet dhe kotësitë të mbyllen në suazat e tyre të brishta.
Lavjerrësi tundet pa pushim duke prekur vetëm cepat e kësaj bote. Ai është gjithmonë aty i pashmangshëm, i vendosur dhe i qetë. I qetë edhe pse pjesa më e madhe e njerëzve mundohen të gjejnë mënyrat më të çuditshme për ta vrarë atë dhe tundjet e tij. Shpesh koha konsiderohet si armike e cila duhet vrarë dhe jo aleate e ngushtë, një armike që punon kundër iluzioneve dhe shpresave të kota të njeriut të zhytur gjithmonë e më thellë në gropat thithëse materialiste. Me shijen e saj shpesh herë të hidhur, koha shndërrohet në përfundimin jo të pritur të një ekuacioni të gabuar historik, të ndërtuar mbi elementë të rrejshëm.

Edhe pse i shkujdesur, njeriu shprehet se po vret kohën, por, në fakt ështa koha që po e vret atë. Është ajo që me mënyrën e saj të vazhdueshme, të saktë dhe të pamëshirshme, po ia numëron atij dalëngadalë, njëra pas tjetrës, shanset e humbura të cilat shndërrohen në vrasjen e tij të ngadaltë dhe të pashmangshme.
Koha ky libër gjigant me fletë të bardha të gatshme për t’u mbushur, shpesh dorëzohet nga njerëzit përbri arkivoleve të tyre, me fletë të munguara apo shpesh të shkarravitura. Të përpjekur për ta vrarë atë ato dështuan. Të shtrirë përfundimisht koha i përcjell ato njëri pas tjetrit. Ata dështuan ta vrasin kohën, thjesht sepse koha nuk është subjekt për t’u vrarë, ato çka ata vranë ishte ardhmëria e tyre, e cila përkundrejt lavjerrësit të palodhur dhe të qetë, qëndron e tmerruar në pritje të dëshmisë tij dhe tundjeve të tij.

Lavjerrësi si një zot i mirë shtëpie, përcjell mysafirët e vet njëri pas tjetrit. Ai duke qenë se prek vetëm cepat e kësaj bote, është i fundit që largohet prej saj. Pas një punë të palodhur deri në drobitje ai tashmë do të qëndrojë pa u tundur, jo i varur dhe jo i qetë. Jo i qetë sepse tashmë një botë e re e cila ka filluar vetëm me tundjen e parë që kurrë nuk do ta pasojë një tjetër, do të jetë arena e dëshmisë për të. Çdo tundje për miliarda njerëz, një barrë e rëndë për një lavjerrës të hollë dhe të drobitur. Jo i qetë, sepse dëshmia e tij është vendimtare për ato të cilët shumë e patën mohuar, shpërfillur dhe vrarë.