Largohet edhe Rummenigge nga Bayerni, në vend të tij Oliver Kahn

Ndërrohen brezat te bavarezët. Administratori Rummenige largohet para kohe, në vend të tij vjen ish-portieri legjendar, Kahn, i projektuar prej kohësh

Eshtë mbyllur një “epokë” te kampionët bavarezë. Pas Hansi Flick nga drejtimi i Bayern Munche largohet edhe administratori Karl-Heinz Rumenigge, ndonëse duhej të vazhdonte në detyrë deri në fund të vitit. Në vend të tij, një tjetër figurë e shquar bavareze, portieri legjendar Oliver Kahn, i projektuar për këtë post kohë më parë.

“Strategjikisht është momenti i duhur, mbyllet bilanci dhe në të njëjtën kohë, hapet një kapitull i ri, edhe me trajnerin e ri. Është më mirë edhe për të ardhmen e Bajernit, që sezoni i ri të nisë me Kahn, si administratorin e ri ekzekutiv,”- ka deklaruar Karl-Heinz Rumenigge nëpërmjet një komunikate për shtypin.

Në të vërtetë, muajt e fundit, Oliver Kahn kishte marrë përgjegjësitë për vendimet më të rëndësishme të klubit bavarez, siç ishte edhe zgjedhja e Nagelsmann si trajneri i ri i Bayern, për të cilin u paguan 25 milionë që të lihej i lirë nga Leipzig.

E ardhmja e Rummeniges mbetet e paqartë, por ndërkohë ai përjashtoi mundësinë që të punojë për Federatën Gjermane të Futbollit apo për UEFA-n. E vetmja gjë e sigurt është se më 30 qershor te Bayern mbyllet një epokë, e pasur me suksese!