Kush janë tre të piketuarit e radhës nga OFL? Zbulohen emrat

Drogë dhe armë pa leje! Kush janë tre të piketuarit e radhës nga OFL

Trafikim të lëndëve narkotikëve apo armëmbajtja pa leje, këto janë disa nga veprat penale që rëndojnë mbi 3 të piketuarit e radhës nga Operacioni Forca e Ligjit..

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– G. C., banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Torinos, Itali, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve”;

– A. C., banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

– E. A., banues në Poliçan, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.