Kurti dënon sulmet ndaj policisë kosovare, KFOR-it dhe gazetarëve në Zveçan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përleshjes së dhunshme të demonstruesve serbë me forcat e policisë kosovare dhe KFOR-in para objektit të komunës së Zveçanit, transmeton Anadolu.

– Tensione në Zveçan të Kosovës, KFOR-i shpërndan turmën e protestuesve

Në llogarinë e tij në twitter, Kurti njoftoi se sot ka zhvillaur një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) dhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja).

“Unë ndaj shqetësimin për dhunën dhe dënon sulmet kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Grafitet ultra-nacionaliste serbe në automjetet e NATO-s janë një kujtesë e errët në Kosovë. Ne qëndrojmë për paqen dhe sigurinë”, shkroi Kurti.

Kujtojmë se demonstruesit serbë u tubuan jashtë objektit të komunës së Zveçanit për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë në ndërtesën komunale.

Policia kosovare njoftoi se demonstruesit tentuan të thyejnë kordonin e policisë para komunës dhe forcat policore përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Njësitë e KFOR-it gjithashtu përdorën gaz lotsjellës dhe shok bomba për të shpërndarë turmën, të cilët refuzuan të tërhiqen dhe u përgjigjën duke hedhur gjë sende të forta ndaj forcave të KFOR-it. Si pasojë, më vonë KFOR-i njoftoi se rreth 25 trupa të saj janë plagosur.

Në rajon po ashtu janë dëgjuar shumë të shtëna armësh.