Kupat ikonike të ekiptit anglez Manchester City zbarkojnë në Tiranë!

Skuadra fituese e kampionatit më të fortë të globit dhe një prej emrave më të spikatur të futbollit, Manchester City do të jetë më e prekshme këtë muaj, për tifozët shqiptarë. “Citizens” që po shtojnë radhët me tifozë edhe në vendin e “Shqiponjave” nga dita në ditë, tani afrohen në mënyrë konkrete përmes bashkëpunimit me Durrës City FC.

Akademia që do të mbledhë ajkën e talenteve shqiptare dhe ka njoftuar bashkëpunimin me City Football Group dhe kompleksi i ri, do të jetë i gjashti nën ombrellën e ekipit anglez. Administratori i Dyrrah City Football Club, Gjergj Ndoci premtoi një eksperiencë të papërsëritshme për tifozët, me prezantimin e “Treble Tour”, trofeve ikonikë që kanë ngritur lart yjet e trajnerit Guardiola.

Të gjithë trofetë e fituar nga Manchester City, do të ekspozohen në 17 Prill në Qendrën për Hapje dhe Dialog(COD) të Kryeministria, e më pas “Treble Tour” do të vazhdojë në sheshin Italia si dhe në stadiumin “Air Albania” në 18 Prill.

Kjo jep sigurisht premisa të mëdha për të patur vizita në Shqipëri, e ndoshta edhe miqësore të ardhshme me Manchester City. Këto e shumë të tjera për tifozët shqiptar, nën një klimë që do të ndizet më shumë këtë verë me impenjimin e kombëtares në Euro 2024. Shqipëria e trajnerit Sylvinho do të luajë në Europian në një grup ‘ferri’ me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.