Kryetari i Asamblesë së Turqisë: Synojmë që shkëmbimet tregtare me Shqipërinë të arrijnë së shpejti në 1 miliardë USD në vit

Turqia është partneri i 4 më i madh tregtar i Shqipërisë dhe investimet turke kapin shifrën e 3.6 miliard dollarëve, ndërkohë që 15 mijë shtetas shqiptar punojnë në kompanitë turke.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë,  Mustafa Sentop, dhe delegacionin që e shoqëronte, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit.

Kryetari Ruçi i shprehu Kryetarit Sentop mirënjohjen e thellë për ndihmën që Qeveria turke i ofroi Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë dhe vlerësoi rolin dhe angazhimin personal të Presidentit Erdogan në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Turqinë, që u shërbejnë fqinjësisë së mirë, stabilitetit, paqes, përparimit në rajon e më gjerë.

Ne vleresojme lart vizitën e Kryeministrit Edi Rama dhe takimin me Presidentin Erdogan ne Ankara  më 6 janar  të këtij viti dhe përshëndesim nënshkrimin e “Deklaratës së Përbashkët Politike”, e cila ngriti zyrtarisht fazën e marrëdhënies sonë dypalëshe me nivelin e partneritetit strategjik dhe konfirmoi vullnetin e fortë për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona. Shqipëria dhe Turqia janë partner të besueshëm në NATO dhe po punojnë shumë për të arritur objektivin e tyre kombëtar, anëtarësimin në BE, i cili mbetet busulla jonë e pagabueshme, orientimi ynë i pandryshuar dhe i pandryshueshëm.

Forcimi dhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit dypalësh është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë. Fuqizimi  i bashkëpunimit parlamentar po shërben si shtysë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi .”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kryetari Ruçi dhe Kryetari Sentop biseduan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Turqia është partneri i 4 më i madh tregtar i Shqipërisë dhe investimet turke kapin shifrën e 3.6 miliard dollarëve, ndërkohë që 15 mijë shtetas shqiptar punojnë në kompanitë turke. Shqipëria mirëpret kompanitë turke të investojnë në Shqipëri në fusha si teknologji, industrinë përpunuese, të veshmbathjes, bujqësi, blegtori, turizëm etj.

Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi nismën e Turqisë për ndërtimin brenda tre muajve të spitalit rajonal në Fier si edhe ndihmat e tjera në fushën e shëndetësisë, bashkëpunimin në fushën e arsimit etj. Kryetari Ruçi vlerësoi rolin e Turqisë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, anëtarësimin e saj në organizata rajonale e globale.

Ai nënvizoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, udhëhequr nga BE dhe përshëndet marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës e Serbisë, nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, deklaratën e Departamentit të Shtetit të datës 28 janar 2021  si edhe deklaratën e Presidentit Biden se thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë; do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve, do të fuqizojë institucionet demokratike, do të rrisë sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve, do të avancojë aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështesë  qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe.

Kryetari i Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë,  Mustafa Sentop, falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për ftesën dhe pritjen.

Shqipëria ze një vend të vecantë në zemrën  e popullit turk. Marrëdhëniet tona dypalëshe kanë rrënjë të forta historike. Stabiliteti  dhe prosperiteti i Shqipërisë është i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Vizita e Kryeministrit Edi Rama ishte shumë e rëndësishme sepse u arrit ngritja e marrëdhënieve  në nivelin e partneritetit strategjik. Turqia synon që shkëmbimet tregtare me Shqipërinë të arrijnë së shpejti në një miliardë USD në vit. Zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh po i shërben edhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërparlamentar.”, nënvizoi Kryetari Sentop.

Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Kryetari i Asamblesë së Madhe Sentop biseduan edhe për aspekte të tjera të bashkëpunimit midis të dy vendeve si edhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit si edhe organizatave terroriste ndërkombëtare të vjetra e të reja. /scan