Kryeparlamentari Xhaferi uron komunitetin turk me rastin e Ditës së arsimit në gjuhën turke

Kryeparlamentari Xhaferi ka theksuar se në vendin e tij ku jetojnë pjesëtarë të bashkësive të ndryshme etnike, "mundësimi i krijimtarisë, funksionimit dhe përdorimit të gjuhës amtare është thelbësor"

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së arsimit në gjuhën turke në Maqedoninë e Veriut, kryeparlamentari i vendit, Talat Xhaferi, ka uruar bashkëqytetarët e tij, pjesëtarët e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në urimin e tij, kryeparlamentari Xhaferi ka theksuar se në vendin e tij ku jetojnë pjesëtarë të bashkësive të ndryshme etnike, “mundësimi i krijimtarisë, funksionimit dhe përdorimit të gjuhës amtare është thelbësor”.

“Mundësia për arsimim në gjuhën amtare është e drejtë dhe obligim i çdo shteti demokratik i cili i ka ratifikuar dhe i respekton në mënyrë konsekuente deklaratat universale për të drejtat e njeriut. Me anë të kultivimit të gjuhës, kulturës, vlerave dhe traditave, shoqëria jonë bëhet më e pasur, më e fuqishme dhe gjithsesi karakteristike me të gjitha veçoritë që e bëjnë unike Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shprehet Xhaferi.

Ai shprehu mirënjohje ndaj bashkësisë turke në Maqedoninë e Veriut, siç tha ai, për kontributin e madh shoqëror dhe ekonomik që e japin çdo ditë në çdo fushë të jetës shoqërore dhe shtoi se me këtë vetëm e vërtetojnë “respektin dhe vlerën e vet për të gjithë ne”.

Xhaferi sot po ashtu do të shoqërojë homologun e tij turk, Mustafa Şentop, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Shkup me rastin e 21 Dhjetorit, ceremoninë e organizuar në Shkup për kremtimin e festës së mësimit të gjuhës turke në Maqedoninë e Veriut.

Turqit në Maqedoninë e Veriut sot shënojnë Ditën e arsimit në gjuhën turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në Shkollën Fillore “Tefeyyüz” në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.