Kryeparlamentari Xhaferi nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve më 15 korrik

Nga shkaku i pandemisë së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut ishin prolonguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 15 korrik të vitit 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Aktvendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Aktvendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 15 korrik 2020 e nënshkrova mbrëmë dhe i njëjti u arkivua dhe u dërgua në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, me çka mbahet llogari për afatet për ditët e përcaktuara në Kushtetutë”, thuhet në njoftimin e kryeparlamentarit Xhaferi.

Xhaferi në porosinë e tij theksoi se “data konsensuale e pushtetit dhe opozitës është 15 korrik 2020. Këto zgjedhje do të jenë të pazakonshme për atë se nuk do të ketë fushatë të zakonshme zgjedhore, mirëpo, ajo që është më e rëndësishmja dhe ndaj të cilës do të duhet të përmbahemi të gjithë në mënyrën më të disiplinuar janë masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që të ruhet shëndeti dhe jeta e qytetarëve”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dje në një postim në rrjetet sociale përshëndeti marrëveshjen e arritur mes liderëve të partive politike që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik të këtij viti, me çka shpalli gjendje të jashtëzakonshme prej 8 ditëve me qëllim që të mundësohet përgatitje e pandërprerë e zgjedhjeve, ndërsa veçmas zbatimi i masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kushte të pandemisë.

Kujtojmë se shkaku i pandemisë së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut janë prolonguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill.