Kryeparlamentari Ruçi takon kryetarin e Partisë Alternativa

Në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Gashi e informoi kryetarin Ruçi mbi zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka pritur në një takim kryetarin e Partisë Alternativa nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Gashi e informoi kryetarin Ruçi mbi zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe këndvështrimin e Partisë Alternativa mbi këto zhvillime, si dhe nënvizoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit midis partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimit, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë “vlerësoi qëndrimin progresiv dhe proevropian të partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe rëndësinë e këtyre qëndrimeve për të ardhmen evropiane të vendit.”

“E rëndësishme është që partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të koordinohen dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për çështjet e përbashkëta të shqiptarëve. Më shumë mirëkuptim, bashkëpunim e koordinim, do të thotë më shumë përfaqësim. Rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është e rëndësishme për zgjerimin e aksesit në zhvillim, në tregje, në shërbimet publike dhe rrjedhimisht ajo duhet të ndikojë edhe në rritjen e mirëqenies”, nënvizoi kryeparlamntari Ruçi.