Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se Partia e Lirisë parashikon mobilizim të jashtëzakonshëm për të sjellë ndryshimin në vend.
Gjithashtu Meta theksoi se situata sipas tij do të shkojë drejt drejtësisë popullore.
Më tej në një intervistë të dhënë për FaxNews, Meta u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk e blen dot popullin e Shqipërisë.
“Duhet të jem shumë i saktë me ju. Mund të rezultojë se më shumë se 4 vizita janë në Tropojë. Nëse përmendet Edi Rama me emër dhe përmendja e vendeve të tjera si Kosova, nxitësi është Edi Rama. Ai dhe ata si puna e tij kanë dashur të mbulojnë korrupsionin e tij. Kanë folur me pronarë mediash, kanë folur me gazetarë, kanë folur me biznesmenë. Përmes tyre nxiste procese kundër njerëzve të mediave dhe më pas i thërriste nuk e keni nga unë por e keni nga Amerika. Mendoj që situata do të shkojë drejt drejtësisë popullore. Sovraniteti i përket popullit. Partia e Lirisë parashikon mobilizim të jashtëzakonshëm për të sjellë ndryshimin. Kur themi ndryshimin sepse koha e tij ka kaluar, sepse Edi Rama e bleu ndryshimin duke blerë zyrtarë të opozitës. Duke blerë vëzhgues ndërkombëtarë. Edi Rama nuk e blen dot popullin e Shqipërisë. Kjo është një betejë e cila ka të bëjë me ekzistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nuk është një betejë thjesht për pushtet. Është një detyrë patriotike që Shqipëria të mos zhbëhet si shtet dhe si komb. Prandaj është detyrë e çdo qytetari të Shqipërisë të bëhet pjesë. Skuthit një dhe skuthit dy shqiptarët do t’ia japin përgjigjen shumë shpejt. Kemi traditë familjare, kemi traditë kombëtare dhe nuk kemi dalë në shitje si komb. Mund të shitet Edi Rama por nuk mund të shitet kombi ynë”, ka thënë Meta.