Kryeministri Rama paralajmëron ashpërsim të masave

Ai shtoi duke se nuk do të lejojë më grumbullime të njerëzve, qoftë dhe për grumbullime politike, duke ju referuar protestave që ndodhën javëve të fundit në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një lidhje direkte në Facebook, paralajmëroi ashpërsim të masave në vend, nëse situata me koronavirus, nuk do të përmirësohet.

Edhe pse tha se mendon se situata mund të vihet përsëri në kontroll, mbyllja nuk do të shmanget nëse situata e përhapjes së COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirus, vazhdon të rëndohet.

“Nëse do të vazhdojmë kështu, fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe të përballojmë edhe njëherë pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë, por nuk dua ta zgjas me këtë, sepse kam bindjen se ende e kemi në dorë ta kontrollojmë situatën”, tha kryeministri Rama.

Ai shtoi duke se nuk do të lejojë më grumbullime të njerëzve, qoftë dhe për grumbullime politike, duke ju referuar protestave që ndodhën javëve të fundit në Tiranë.

Rama paralajmëroi bizneset që të respektojnë protokollet e sigurisë shëndetësore për parandalimin e përhapjes së infeksionit, pasi në të kundërtën do të përballen me sanksione deri dhe në heqje të lirisë.

“Virusi nuk ka këmbë, por përdor këmbët e budallallëkut njerëzor dhe për budallallëkun nuk ka rrugë tjetër veç tolerancës zero për këdo që e shfaq dhe për kudo që ai i shfaqet në krah”, u shpreh Rama.

Ditën e martë, Ministria e Shëndetësisë raportoi shifra rekord të rasteve ditore me 82 të infektuar, duke shënuar ditën e katërt radhazi me raste në rritje, transmeton REL.

Rritja e madhe e numrit të rasteve të prekura me COVID-19 në Shqipëri vjen në kohën kur në vend janë hequr të gjitha masat e detyrueshme të mbylljes së bizneseve, karantinimit e izolimit të njerëzve.

Virusi ka lënë të vdekur 37 persona, prej kur u shfaqën rastet e para në Shqipëri në muajin mars.

Në Shqipëri 1,672 persona janë infektuar, prej të cilëve 1,064 janë shëruar. Aktualisht, raste aktive me COVID-19 janë 571.