Kryediplomati i Sllovakisë vizitë në Shqipëri, takon ministren Xhaçka

Pas takimit në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Xhaçka dhe Korçok, në një deklaratë të përbashkët u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe procesit të integrimit evropian

Ministri sllovak i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Ivan Korçok, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë ai është takuar me homologen e tij, Olta Xhaçka, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Xhaçka dhe Korçok, në një deklaratë të përbashkët u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe procesit të integrimit evropian.

Ministrja Xhaçka tha se një nga temat kryesore të diskutimit me homologun sllovak ishte integrimi evropian i rajonit.

“Ne i jemi mirënjohës Sllovakisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë zgjerimit të Unionit dhe proceseve integruese të Shqipërisë. Dhe gjej rastin ta përshëndes qasjen strategjike dhe parimore ndaj procesit të integrimit, që avokon Sllovakia, duke e parë integrimin si një çështje merite patjetër, por edhe si një çështje strategjike me impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë e stabilitetin e rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian (BE)”, u shpreh Xhaçka.

Ajo theksoi se Shqipëria e çmon shumë faktin që “Sllovakia po angazhohet kaq seriozisht në rajon”.

Ministrja Xhaçka tha se dy vendet ndajnë qëndrime të kundërta përsa i përket statusit të Kosovës, por sipas saj ndajnë një interes të përbashkët në konsolidimin e paqes dhe sigurisë dhe zhvillimin e rajonit. “I kërkova kolegut tim të marrë në konsideratë mundësinë e lejimit të një zyre përfaqësimi të Kosovës në Bratislavë”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Korçok: Po e ndjekim nga afër dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

Ministri Korçok deklaroi se Sllovakia është shumë e interesuar për marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ka shumë rëndësi për ne marrëdhënia jonë dypalëshe. Përparësia natyrisht është integrimi evropian dhe dëshiroj të theksoj që ne jo vetëm kemi marrëdhënie shumë të ngrohta e miqësore, por jemi edhe aleatë pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s”, u shpreh kryedoplomati sllovak.

Korçok u shpreh se ai shpreson shumë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të fillojnë negociatat për anëtarësimin në BE.

Duke iu referuar vizitave në vendet e Ballkanin Perëndimor, ai tha se “Unë dëshiroja që të merrja ndjesinë e duhur të zhvillimit të rajonit, të zhvillimeve edhe në rajon. Kam një interes të veçantë për të parë se si po ecin vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Ka situata të vështira, të ndërlikuara në vende të ndryshme me sfidën që ka ardhur nga COVID-19”.

Ministri Korçok theksoi se po e ndjekin nga afër dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. “E shfrytëzova këtë mundësi për të theksuar edhe njëherë qëndrimin e pandryshuar të Sllovakisë që nuk do të thotë që ne po e shpërfillim apo injorojmë Kosovën, por që në këtë moment ne nuk po e ndryshojmë qëndrimin tonë, mosnjohjen e Kosovës”, tha ai.

Gjatë vizitës ministri Korçok dorëzoi edhe një donacion me vlerë 30.000 euro, për një nga spitalet COVID në Shqipëri.