Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari merret i pandehur nga SPAK

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Lajmin e raporton ekskluzivisht gazetarja Anila Hoxha. Kreshnik Hajdarit i është komunikuar akuza, neni 190/2 i K.Penal për falsifikimin e formularëve.

Një ditë më parë, Hajdari i shpëtoi heqjes së mandatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa sot pozita e tij është vështirësuar me komunikimin e akuzës nga prokurorët e SPAK.

SPAK e thirri Hajdarin, dy ditë pasi Prokuroria, nëpërmjet një shkrese, njoftoi se ai është dënuar në Greqi në vitin 1999, fakt që nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje.

Nga verifikimet e Prokurorisë, gjithashtu konfirmuar nga ministria e Drejtësisë greke, Kreshnik Hajdari rezulton i bashkëgjykuar i mitur dhe është dënuar me “masa riedukuese e qortimit”. Sipas drejtësisë greke, i pandehuri në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor. Kjo çështje u shqyrtua një ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tre juristët e koalicionit “Bashkë Fitojnë”, thanë se mjaftonte mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit të dëbimit të zotit Hajdari në vitin 1999 nga Greqia për t’i ndërprerë mandatin. Madje ata ngulmuan se ai kishte konsumuar edhe një vepër penale.

Por, në fund, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpjegoi se KQZ për të tilla raste tashmë e ka një praktikë të konsoliduar, duke vlerësuar se nuk ka një shkak ligjor që kryetarit bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.

Top Channel