Familja shqiptare shkoi në Belgjikë për shkak se babai kishte nevojë për ndërhyrje në mëlçi. Ata qëndruan në vendin e BE-së pasi burri duhet të vijonte mjekimet.
Por pasi vendimi për deportimin e tyre nga Belgjika u bë publik, në shkollën e fëmijëve u organizua një protestë kundër deportimit.
Kryebashkiaku Magnette ka kërkuar nga policia që të mos vijojë me procedurat për largimin e shqiptarëve.
Ky vendim po kundërshtohet ashpër nga disa prej politikanëve më të njohur në vend, siç është rasti i Maggie De Block. Ministrja e Shëndetësisë thotë se vendimi i Paul Magnette është përtej kompetencave të tij. De Block, e cila më parë ka mbajtur edhe detyrën e Sekretares për Azilin dhe Migracionin, thotë se ligji duhet të zbatohet nga të gjithë.
“Ne jemi të befasuar kur lexuam njoftimin e z. Magnette në shtyp, veçanërisht pasi ai nuk kishte folur më parë. Të gjitha autoritetet duhet të respektojnë ligjin. Kjo vlen si për ministrat ashtu edhe për kryetarët e bashkive. Një kryetar i bashkisë i cili inkurajon një familje të qëndrojë ilegalisht në Belgjikë dhe njofton se është e ndaluar që policia të kryejë një dëbim ka dalë jashtë kompetencave të tij”, u shpreh një zëdhënës i zyrës së Maggie De Block.