Kroacisë i buzëqesh sërish fati, eliminohen të zotët e shtëpisë

“Ruleta ruse” bëhet kroate, ballkanasit në gjysmëfinale

Kroacia ia ka dalë për herë të dytë në histori, që të mbërrijë mes 4 skuadrave më të mira, teksa siguroi gjysmëfinalet falë triumfit me 11-metërsha përballë Rusisë organizatore të Kupës së Botës.

Sfida filloi e qetë, me të dy skuadrat që kërkonin të tregoheshin sa më të kujdesshme, për të siguruar më parë prapavijën dhe pastaj për të menduar për sulmin.

Kroacia dukej më e qartë në manovrën e saj sulmuese, por ishte Rusia që gjeti golin e parë, në minutën e 31-të, kur Cheryshev përfitoi nga një përgjumje e mesfushës kroate dhe dërgoi topin në trekëndëshin e portës së Subasiç.

Ballkanasit e Daliçit reaguan menjëherë dhe u hodhën në sulm në kërkim të golit të barazimit, të cilin e gjetën në minutën e 39’, kur Kramariç shënoi pas një krosimi të zgjuar të Mario Mandzukiç.

Kroatët u futën më kërkues në fushë në pjesën e dytë. Ata e kontrolluan lojën, me rusët që u kujdesën të mbroheshin mirë. Rreziku ishte më i pakët në portën kroate, me organizatorët që rrezikonin me anë të kundërsulmeve.

Në minutën e 60, ballkanasit patën një rast të artë për të kaluar në avantazh. Rrëmujë brenda zonës së rreptësisë së Rusisë dhe topi shkoi te Perisic, që gjuajti drejt portës me portierin Akinfeev të mundur. Por fati ishte në anën e rusëve, pasi topi goditi shtyllën dhe doli jashtë.

Në vazhdim ballkanasit u bënë më kërkues por nuk ia dolën dot ta fusnin topin në rrjetë. Deri në fund të 45 minutave të dyta, pavarësisht këmbënguljes së të dyja ekipe e rezultati nuk ndryshoi.

Pasi koha e rregullt është mbyllur në barazim 1-1, Kroacia ka realizuar golin e avantazhit në pjesën e parë të shtesës, me Vida që ka shënuar me kokë në minutën e 101-të pas një goditje nga këndi të Modric. Rusia, gjithsesi, nuk është dorëzuar dhe është hedhur në sulm për golin e barazimit, të cilin e ka gjetur në minutën e 115-të, kur Mario Fernandes ka mposhtur portierin Subasic me një goditje të saktë me kokë.

Barazia ka zgjatur deri në minutat e fundit të fundit të shtesës dhe dy ekipet i janë drejtuar pikës së bardhë, prej ku kanë dalë të fituar kroatët me rezultatin 4-3. Smolov dhe Fernandes kanë gabuar për rusët, Kovacic për kroatët.

Në gjysmëfinale, që do të luhet 11 korrikun e ardhshëm në orën 20:00, kroatët do të përballen me Anglinë.