Kreut të “Fondacionit Marmara” nga Turqia i ndahet “Medalja për Merita për Maqedoninë”

Ivanov tha se sot u falënderohen intelektualëve të mëdhenj, të cilët, siç tha, edhe pse nuk e flasin gjuhën maqedonase, ata komunikojnë idetë që janë shumë të afërta me botëkuptimin maqedonas

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, i ndau “Medaljen për Merita për Maqedoninë” kreut të “Fondacionit Marmara” nga Turqia, prof. Dr. Akkan Suver dhe drejtorit të Bibliotekës së re të Aleksandrisë në Egjipt, prof. Dr. Ismail Serageldin, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Ivanov, po ashtu i ndau mirënjohjen “Karta e Republikës së Maqedonisë” organizatës jofitimprurëse ndërkombëtare “Maqedonia 2025” nga Shkupi.

Në fjalën e tij, Ivanov tha se sot u falënderohen intelektualëve të mëdhenj, të cilët, siç tha, edhe pse nuk e flasin gjuhën maqedonase, ata komunikojnë idetë që janë shumë të afërta me botëkuptimin maqedonas. Sipas tij, ato janë ide për lidhje, bashkëjetesë, respekt dhe diversitet.

Prof. Dr. Akkan Suver u nderua me “Medaljen për Meritat për Maqedoninë” për përkushtimin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm në punën dhe aktivitetet e tij, me të cilat ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e vlerave dhe pozicioneve maqedonase në Turqi dhe më gjerë në hapësirat evropiane dhe aziatike, me angazhimin personal si themelues dhe kryetar i “Fondacionit Marmara”.

“Në botën tonë të globalizuar shumë forume dhe iniciativa shpejt zhduken, por jo edhe Samiti Ekonomik Euroaziatik që ka funksionuar me sukses tashmë 22 vite. Idetë që përfshihen në këtë samit merren parasysh në rajonin më të gjerë euroaziatik. Me temat e saj, debatet dhe politikat, forumi ndikon në politikat e vendeve, sepse hap perspektivat dhe rrugët për bashkëpunim ndërmjet vendeve të Evropës dhe Azisë. Përmes këtij forumi, ekonomia dhe kompanitë maqedonase kanë një derë të hapur për bashkëpunim në të gjitha hapësirat euroaziatike. Ajo është edhe lidhja mes Maqedonisë dhe Turqisë. Por, samiti është vetëm një nga aktivitetet e shumta të ‘Fondacionit Marmara’ dhe e gjithë kjo është një meritë për vizionin dhe këmbënguljen e Dr. Akkan Suver-it”, deklaroi presidenti Ivanov.

Ivanov shtoi se Dr. Suver është një diplomat dhe një politikan, por mbi të gjitha një njeri i mençur nga i cili, sipas tij, mësojnë shumë politikanë dhe burrështetas nga rajojni.

Prof. Dr. Suver, kreu i “Fondacionit Marmara” dhe themelues i Samitit Euroaziatik që mbahet në Turqi që nga viti 1998, në fjalën e tij tha se mirënjohja që pranoi nga presidenti Ivanov për të gjithmonë do të ketë një rëndësi dhe vlerë të veçantë, të cilën do ta ruaj si simbol të miqësisë midis dy shteteve, vende të cilat, siç tha, edhe pse nuk kanë kufi të përbashkët, vazhdojnë me marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Turqia dhe Maqedonia janë dy vende të rëndësishme dhe paqedashëse në rajonin e Ballkanit. Veçanërisht marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpumimi i nivelit të lartë midis presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të vendit tuaj do të kontribuojnë në zhvillimin, prosperitetin, stabilitetin dhe paqen e rajonit”, tha Suver.

Profesorët Akkan Suver dhe Ismail Sarageldin, si dhe Vera Stavrof, e cila pranoi njohjen në emër të organizatës “Maqedonia 2025”, shprehën mirënjohjen e tyre dhe theksuan se kjo për ta është një konfirmim dhe njohje për punën e tyre.

Në ceremoninë e ndarjes së “Medaljes për Merita për Maqedoninë” të pranishëm ishin edhe gruaja e presidentit Ivanov, Maja Ivanova, ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, anëtari i Këshillit të Sigurisë së Maqedonisë së Veriut, Furkan Çako, si dhe të ftuar të tjerë.