Kreu i grupit terrorist FETO, Fetullah Gulen, ka vdekur në ShBA

Fetullah Gulen, i cili organizoi përpjekjen për grusht shteti të vitit 2016 në Türkiye, ka vdekur në shtetin amerikan të Pensilvanisë, sipas raporteve. Ai ishte 83 vjeç.

Herkul, një faqe interneti që publikon predikimet propagandistike të Gulenit, tha në llogarinë e saj X se Gulen kishte vdekur të dielën në mbrëmje në spitalin ku po trajtohej.

Për dekada, Gulen, kreu i Organizatës Terroriste Fetullah (FETO), mbikëqyri një rrjet të gjerë terrorist që synonte minimin e shtetit dhe demokracisë turke.

Gulen kishte jetuar në shtetin amerikan të Pensilvanisë. Udhëheqësit turq kanë kërkuar prej kohësh ekstradimin e tij, por zyrtarët gjyqësorë të ShBA-së nuk e miratuan atë.

FETO-ja dhe udhëheqësi i saj me qëndrim në ShBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të dështuar të 15 korrikut 2016, në Türkiye, në të cilin 252 njerëz u vranë dhe 2.734 u plagosën.

Ankaraja akuzon gjithashtu FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.