Kreditimi i ekonomisë – 38.5% e PBB-së, niveli më i ulët në një dekadë

Kredia për ekonominë, në terma realë, ka arritur nivelin më të ulët të dekadës së fundit.

Kredia për ekonominë, në terma realë, ka arritur nivelin më të ulët të dekadës së fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar portofoli i kredisë arriti në më pak se 38.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në rënie me dy pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2016. Përmirësimi i rritjes ekonomike nga njëra anë dhe stanjacioni i kreditimit nga ana tjetër kanë bërë që ky tregues të bjerë nga viti 2012 e në vazhdim, me përjashtim të një rritjeje shumë të lehtë në vitin 2014.

Në vlerë absolute, kredia për ekonominë e brendshme, pa përfshirë atë për jo rezidentët, ka ngecur pranë nivelit të 530 miliardë lekëve prej tre vitesh me radhë. Rënia i detyrohet sidomos tkurrjes së ndjeshme të kredisë për biznesin.

Për shkak të dështimit të shumë korporatave të rëndësishme dhe rritjes së huave me probleme, kredia për biznesin, sidomos atë të madh, ka njohur një lloj ngërçi në vitet e fundit. Bankat vazhdojnë të jenë shumë të kujdesshme në marrjen përsipër të ekspozimeve të mëdha. Kjo sjellje duket qartë edhe në strukturën e portofolit të kredisë. Pesha e kredisë për biznesin ka zbritur në 68.4% të kredisë totale për ekonominë. Krahasuar me dy vite më parë, kredia ka rënë me mbi dy pikë përqindje, raporton Scan.

Paralelisht, është rritur pesha e kredisë për individë, që në fund të vitit 2017 zinte 32.4% të totalit, nga 29.5% që zinte dy vjet më parë. Kreditimi në këtë segment ka më pak rreziqe, për shkak se ekspozimet janë mesatarisht më të ulëta. Kjo është arsyeja kryesore pse bankat po orientohen gjithnjë e më shumë te zgjerimi në segmentin e individëve. Kredia totale për individët rezidentë ka vlerën e 171.5 miliardë lekëve dhe rreth 62% e kësaj shume është kredi për pasuri të paluajtshme.