Ditën e sotme KPK ka dhënë vendimin për gjyqtarin Ardian Dvorani, duke e kaluar me sukses kontrollin, duke u rikonfirmuar në detyrë.
Ardian Dvorani është anëtari i gjashtë i Gjykatës së Lartë, i cili u përball me procesin e vetingut dhe e kalon me sukses.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përfaqësuar nga kryesuesi Roland Ilia dhe anëtarët Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli mori vendimin të rikonfirmojë në detyrë gjyqtarin.
Dvorani ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1988 dhe ka punuar deri në vitin 1991 si prokuror në Shkodër. Në vitet 1991-1994 ai ka qenë këshilltar ligjor pranë INSIG, ndërsa në vitet 1994-1998 ka punuar si avokat.
Në vitet 1998-1999, Dvorani kreu detyrën e këshilltarit ligjor pranë Këshillit të Ministrave dhe më pas ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, funksion të cilin e ka mbajtur deri në vitin 2005.
Ardian Dvorani u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë më 17 shkurt 2005. Më parë, ai ka qenë edhe kryetar i delegacionit shqiptar në GRECO si dhe anëtar i përhershëm i grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian për çështjet e drejtësisë dhe ato të punëve të brendshme, raporton Sot.
Pas emërimit në Gjykatë të Lartë, Dvorani ka qenë kryetar i Komisionit të Përmirësimit të Vazhdueshëm Profesional të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe nga nëntori 2005, edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.