Kosovë, shkon në 20 numri i të prekurve me COVID-19

Nga gjithsej 308 mostra të testuara deri më tani, 20 raste kanë rezultuar pozitive, njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur edhe një rast të ri të prekur me koronavirusin e ri (COVID-19) në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një komunikatë nga IKSHPK, nga data 8 shkurt deri me 18 mars të këtij viti, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 308 mostra të dyshimta në virusin, dhe gjithsej 20 raste prej tyre kanë rezultuar pozitive.

“Sot më 18.03.2020 është konfirmuar një rast pozitiv për virusin SARS-CoV-2: Rasti i konfirmuar është rast kontakti nga fshati Bradash-Podujevë, e gjinisë femër 55 vjeç”, thuhet në njoftim.

Në qendrën e thirrjeve deri më tani janë pranuar në total 2.414 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 370 thirrje telefonike.

IKSHPK njoftoi se nga 1 shkurti deri më 18 mars në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 13.316 udhëtarë.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve, duke iu obliguar vetëizolimi dhe kërkimi i ndihmës mjekësore në rast të paraqitjes së simptomave.