Kosovë, serbët në veri organizojnë protestë kundër presidentit të Serbisë Vuçiq

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut është mbajtur një protestë nga serbët lokalë në shenjë pakënaqësie me qasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e organizuar nga Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe ku morën pjesë rreth 200 persona, të pranishmit brohoritën parulla kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, partisë më të madhe politike të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Protestuesit po ashtu mbanin pankartë me mbishkrimin: “Vuçiq, Kosova nuk të do, na tradhtove. Nuk do ta bëjmë as asociacionin e komunave serbe, na shite,”

Njëri nga organizatorët e protestës, Ivan Miletiq, në fjalën e tij tha se besimi se presidenti serb Vuçiq do të qëndronte në krah të serbëve të Kosovës gjatë barrikadave të ngritura në veri të Kosovës ishte i kotë.

Miletiq tha se serbëve të Kosovës po u afrohet fundi dhe për këtë arsye janë të detyruar të organizojnë protestë.

“Populli i Mitrovicës së Veriut dhe populli (serb) i Kosovës nuk do të ndalen, nuk do të dorëzohen dhe do të luftojmë deri në fund”, deklaroi ai.

Protesta, ku Policia e Kosovës, Forca Paqeruajtëse e NATO-s (KFOR) dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) morën masa të gjera sigurie, përfundoi pa incidente pas fjalimeve.

Disa nga serbët që jetojnë në Kosovë kanë akuzuar presidentin serb Vuçiq se nuk është kujdesur sa duhet për serbët e Kosovës në tensionet e fundit në veri të vendit.