Kosovë, prezantohet Programi Nacional për Rininë

Koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport të Kosovës, Rexhep Hoti tha se Projekti Nacional për Rininë për herë të parë ofron mundësi për gara të mbi 340 mijë nxënësve të Kosovës

Qeveria e Kosovës sot promovoi programin nacional për të rinjtë, që u dedikohet studentëve nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe i cili parashikon organizimin e garave në fushat e dijes, krijimtarisë kulturore dhe të menduarit kritik si dhe sportit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e këtij eventi, koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport të Kosovës, Rexhep Hoti, tha se projekti nacional për të rinjtë për herë të parë ofron mundësi për gara të më shumë se 340 mijë nxënësve të Kosovës. Hoti theksoi se programi, përveç garave ndërshtetërore në nivel shkolle, komunale dhe republike, parashikon gara në të njëjtat sfera edhe me vendet fqinje.

“Ky është projekti i parë që është konceptuar fuqishëm, jo nga aspekti i financave, sepse buxheti i saj është 0,05 për qind nga 2.3 miliardë euro të buxhetit të konsoliduar të Republikës së Kosovës, që Kosovës t’i kthejë gjallërinë në rrugë, në shkolla, në sheshe”, ka thënë Hoti. Ai tha se ky projekt pritet të ndalojë largimin e nxënësve nga Kosova. Ai gjithashtu theksoi se fituesit e garave do të shpërblehen edhe financiarisht.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli vlerëson se rinia e Kosovës pret nga BE-ja të heqë regjimin e vizave për Kosovën.

“Rinia jonë aktualisht ballafaqohet me probleme të shumta të natyrave të ndryshme, si në fushën e arsimit ashtu edhe në integrimin në tregun e punës ndërsa në të njëjtën kohë ballafaqohet me problemin në nivel rajonal dhe evropian, sepse ata janë rinia më e izoluar, edhe pse jemi shteti më i ri në Evropë”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se programe të tilla mund të inkurajojnë të rinjtë, të krijojnë mundësi të reja për talentet e tyre dhe të ndryshojnë kursin e jetës së tyre. Haradinaj thekson se buxheti për vitin e ardhshëm parashikon një rritje prej 12 për qind të buxhetit në arsim. Po ashtu edhe ai potencoi të drejtën e të rinjve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm.

“Është e rëndësishme që liderët e BE-së të shfrytëzojnë mundësinë dhe të vendosin në axhendë vendimin për të drejtën e lirisë së lëvizjes për Kosovën para festave që i festojnë, para Krishtlindjeve”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviç, tha se komuna e tij mbështet çdo aktivitet në favor të zhvillimit të duhur të të rinjve. Në takimin e mbajtur në Qeverinë e Kosovës të pranishëm ishin krerët e disa komunave të Kosovës si dhe akademikë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.