Kosovë, miratohet ligji për pagat në sektorin publik

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash miratuan ligjin për pagat, pas gjashtë orësh debati mbi ndryshimet në projektligjin

 Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash miratuan ligjin për pagat, pas gjashtë orësh debati mbi ndryshimet në projektligjin, raporton Anadolu Agency (AA).

Për ligjin e pagave me amendamentet e miratuara votuan 62 deputetë, nuk ishte kundër, as të abstenuar, ndërsa deputetët e opozitës Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk morën pjesë në votim.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, Nait Hasani, në një fjalim hyrës mbi projekt-ligjin mbi pagat, tha se ishte një nga ligjet më të rëndësishme për Kosovën, i cili duhet të rregullojë pagat në sektorin publik.

“Komisioni ynë ka pasur presione të jashtëzakonshme në hartimin e këtij ligji dhe ne kërkojmë që ky projektligj të rregullojë këtë çështje të rëndësishme, sepse për 20 vjet ka pasur një anarki pagash në Kosovë, të miratohet me të gjitha amendamentet e propozuara nga Komisioni” tha Hasani.

Ndër amendamentet të cilat u miratuan, ka pasur edhe amendamente që sigurojnë pagën maksimale për punonjësit në ndërmarrjet publike me koeficient 7, me një maksimum prej 12 koeficientëve. Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha që vetë kompanitë publike të vendosin pagat minimale dhe maksimale në varësi të mundësive financiare të krijuara nga vetë kompania.

Këtë propozim e kundërshtoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili mbështeti propozimin e Komisionit funksional, sipas të cilit ndërmarrjet publike nuk mund të përcaktojnë vetë pagat. Ai vuri në dukje se ky qëndrim i PDK-së qartë tregon pse pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës me këtë projekt-ligj për pagat është rritur.

“Nuk dua të mendoj se ligjet janë shkruar për një mandat qeveritar. As nuk dua të mendoj se si deputet duhet të shpjegoj për një mandat qeveritar. Për mua si deputet i PSD, është e rëndësishme që inxhinierët më të mirë të Telekomit, inxhinierët më të mirë në fushën e mineraleve dhe energjisë, të mbahen në sektorin publik. Përndryshe, çdo operator privat do t’i tërheqë ata me paga më të mira”, tha deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu.

Deputeti i Iniciativës Nisma, Milaim Zeka, akuzoi Sejdiun për manipulimin e qytetarëve.

“Ne kemi përcaktuar pragun se si hajdutët e këtyre kompanive, të cilët quhen drejtorë dhe menaxhment, të cilët kanë vjedhur 20 vjet para të ndërmarrjeve publike, nuk mund më të përcaktojnë pagat e veta prej 5 mijë euro, plus reprezentacion për një muaj, dreka dhe darka nga 40 mijë euro”, tha Zeka.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, vuri në dukje se në asnjë vend të Bashkimit Evropian, një nëpunës civil nuk ka një pagë që është 15 herë më e lartë se paga mesatare në vend.

Deputetët miratuan edhe amendamentin 71 për rritjen e koeficientit fillestar të pagës për punonjësit e arsimit me 20 për qind.