Kosovë, kreu shtetëror diskuton për platformën e dialogut

Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, të bashkohen në mbështetjen e Platformës për dialog

 Kreu më i lartë shtetëror i Kosovës ka biseduar sot për Platformën e dialogut me Serbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka mbajtur takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, bashkëkryesuesin e Delegacionit Shtetëror për Dialog, Fatmir Limaj, si dhe anëtarët e Delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, duhet të bëhen bashkë në mbështetje të Platformës së Dialogut. Është theksuar se uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e dialogut.