Kosova shkruan historinë, fiton grupin dhe kualifikohet në Ligën C

Kosova magjike kualifikohet si lidere e grupit në gjysmëfinalen e Ligës D në Ligën e Kombeve...

Kosova ka marrë një rezultat të madh 4-0 ndaj Azerbajxhanit duke siguruar kreun e grupit 3 të League D. Me këtë triumf historik, Kosova ngjitet në League C të Nations League. Vendasit bëjnë një start ëndrrash. Pas një aksioni brilant në të majtë nga Kololli, ai pason topin te Zeneli i cili me një goditje të mrekullueshme ka mposhtur portierin Agayev duke bërë që i gjithë stadiumi “Fadil Vokrri” të shpërthejë në brohoritma.

Mbi 12 mijë e 500 tifozë hijeshuan kryeqytetin dhe më pas stërmbushën stadiumin “Fadil Vokrri” për atë që ishte sfida vendimtare për përfaqësuesen e Kosovës për realizimin e një mundësie historike për kualifikim në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për Ligën D.

Një gol ëndrrash dhe një start ëndrrash për kosovarët që arrijnë të mbajnë ndeshjen nën kontroll. Vendasit luajnë të disiplinuar ndaj një Azerbajxhani në vështirësi të vazhdueshme për shkak të sulmuesve të shpejtë kosovarë. Sfida karakterizohet nga shumë faulle pasi të dyja skuadrat luajnë me agresivitet duke parë edhe rëndësinë kësaj ndeshjeje që luhet për kryesimin e grupit.

Atmosferë e papërshkrueshme në stadium që u elektrizua nga ky gol. Azerbajxhani mori iniciativën, por Kosova kontrolloi gjithçka duke mos lejuar ndonjë rast të rrezikshëm.

Mysafirët goditjen e parë në kornizë e bënë në minutën e 40-të, kur Almeida testoi portierin debutues Arijanet Muric, i cili bëri një intervenim të mrekullueshëm. Me të filluar pjesa e dytë, sërish stadiumi u ndez, sërish nga i njëjti njeri.

Një top mjeshtëror nga Vedat Muriqi e vë para portierit mysafir Arbër Zenelin i cili ishte i qetë për të shënuar për 2-0 dhe festën e madhe në kryeqytet (50′).

Vetëm pesë minuta më vonë djaloshi i artë Benjamin Kololli me një tjetër harkim të mrekullueshëm nga ndërprerja e gjen Amir Rrahmanin që me kokë bukur realizoi për 3-0. Festa e mrekullueshme me tifozët “Dardanët” nga mbrojtësi për atë që ishte vulosja e fitores historike.

Kosova nuk ndalej dhe me t’u inkuadruar Edon Zhegrova u ndez edhe më shumë loja.

Hekuran Kryeziu me një vizion e pasim të pabesueshëm nga një distancë e largët dërgoi një top te Zeneli, i cili në formën e tij tashmë tradicionale pasi e nënçmoi lojtarin mysafir e fotografi portierin azer për të kompletuar hetrikun e tij për rezultatin 4-0 (76′).

Kosova pati raste deri në fund, por rezultati përfundimtar i këtij takimi mbeti 4-0. Përfaqësuesja e Kosovës mbyll kështu kampanjën në Grupin 3 të Ligës D si lidere pa asnjë humbje me katër fitore dhe dy barazime dhe gjithsej 14 pikë.

Me këtë fitore, Kosova përballet në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për Ligën D ndaj Maqedonisë në mars të vitit 2020. Me një fitore ndaj Maqedonisë si mysafir, Kosova do të siguronte një ndeshje finale historike ku me një tjetër fitore do të sigurohej kualifikimi në Kampionatin Evropian, Euro 2020.

Deri atëherë, të shijohet ky sukses i jashtëzakonshëm i Kosovës, që si përfaqësuesja më e re në Evropë e mbylli vitin 2018 pa asnjë humbje.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera, Portugalia e cila e kishte siguruar vendin e parë të grupit 3 të League A ka barazuar 1-1 ndaj Polonisë. Suedia ka mposhtur Rusinë 2-0 brenda në shtëpi dhe ngjitet në League A. Mali i Zi ka humbur brenda ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0, por skuadrat ruajnë pozicionet në grupin 4 të League C. Skocia ka përmbysur 3-2 rezultatin ndaj Izraelit duke marrë kryesimin e grupit 1 të League C, grupi ku ndodhemi edhe ne. Skocezët do të avancojnë në League B. Serbia ka mposhtur 4-1 Lituaninë e vendit të fundit duke marrë kryesimin e grupit 4 të League C. Me këtë fitore serbët ngjiten në League B. Malta dhe ishujt Faroer kanë barazuar 1-1 në grupin e Kosovës që do të thotë se pozicionet e tyre nuk ndryshojnë.