Kosova pritet të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon për këtë vit

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka parashikuar rritje ekonomike 3.5% për vitin 2023. Përpos Kosovës, raporti përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në bazë të të dhënave, Kosova pritet të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) thotë se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike, në raport me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

BERZH në raportin “Perspektivat Ekonomike Rajonale“, pohon se rritja ekonomike për vendet e rajonit do të jetë me një mesatare prej 2.2%, derisa ajo e Kosovës do të jetë 3.5%.

“Prodhimi në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ketë një rritje prej 2.2% në vitin 2023 mes presioneve inflacioniste dhe një perspektive të ashpër për ekonomitë e përparuara në Europë, përpara se të rritet deri në 3.4% në vitin 2024”, pohon BERZH.

Sipas këtij institucioni, gjatë vitit të kaluar, rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte e moderuar.

“Vendet në Europës Juglindore kanë qenë rezistente ndaj ndryshimeve ekonomike, por kanë përjetuar rritje më të ulëta në gjysmën e dytë të 2022-së. Një rritje prej 1.5% parashikohet në 2023, duke u rritur deri në 3.1% për vitin 2024”.

“Në mënyrë të ngjashme, rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte e moderuar në vitin 2022, por konsumi i familjeve u tregua i ndryshueshëm.

Për vitin 2023, rritja pritet të ngadalësohet në 2.2 për qind, duke reflektuar kërkesën e dobët nga jashtë, inflacionin e lartë dhe kushte për financim më të shtrënguara. Rritja ekonomike pritet të rritet deri në 3.4 për qind gjatë vitit 2024”, përfundon BERZH.

Pas Kosovës, është Mali i Zi që parashihet të shënoj rritje ekonomike prej 3.3%, ndjekur nga Shqipëria me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovinën dhe Serbia me nga 2%.

Po ashtu, Banka Botërore në raportin e saj të fundit ka theksuar se ekonomia e Kosovës në tri vitet e ardhshme parashikohet të ketë rritjen më të madhe, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Në vitin 2022, u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3.5%, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat, i cili vazhdoj të tregojë qëndrueshmëri pavarësisht presioneve inflacioniste. Pozita fiskale vazhdoj të përmirësohej, udhëhequr nga performanca e vazhdueshme pozitive e të ardhurave publike kundrejt efekteve të inflacionit dhe përfitimeve nga rritja e formalizimit, si dhe nga nën-shpenzimi i investimeve kapitale”, ka theksuar BB-ja.

Institucioni financiar më lartë në botë ka shtuar se inflacioni gjatë vitit 2022 ka arritur nivelin më të lartë historik.

“Inflacioni arriti kulmin në muajin korrik 2022 dhe presionet mbi çmimet mbeten të larta. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit arriti nivelin më të lartë historik prej 14.2% dhe mbeti mbi 11% deri në dhjetor, duke e çuar inflacionin vjetor në 11.6%”, ka shtuar banka.

Në fund, Banka Botërore thekson se perspektiva afatmesme për Ballkanin Perëndimor mbetet pozitive, megjithëse është i nevojshëm zbatimi i reformave për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe për të adresuar sfidat kryesore strukturore.

Kjo rritje ekonomike nuk është as për së afërmi me atë të vitit 2021 që kalonte 10 përqindëshin.

Me atë rritje ekonomike, Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti ishte krenuar, duke konsideruar “si një nga sukseset më të mëdha të Qeverisë”.

Megjithatë, opozita nuk sheh ndonjë sukses. Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në prill të këtij viti kishte thënë se nuk do të ketë rritje më të madhe ekonomike krahasuar me vitin paraprak.

“Në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7%, që është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022. Shpresa këtu mbetet tek stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare. Nuk shihet në horizont ndonjë politikë ekonomike që mund të krijojë ndonjë moment të ri për t’i dhënë shtytje zhvillimit dhe punësimit në vitin 2023 dhe 2024”.

Edhe pjesa e tjetër e opozitës kishte akuzuar Kurtin se po përdor të dhëna nominale për t’i paraqitur si “suksese qeveritare”.

Për argument e kanë marrë inflacionin e lartë që kalon normën 10 për qind, sipas të cilëve ka vështirësuar jetën e qytetarëve – duke shtuar se ”numrat e Kurtit nuk kanë rëndësi”./Fatos Shala