Kosova ka zbatuar mbi 68 për qind të Axhendës së Reformave Evropiane (ERA) 1

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në pjesën e konferencës që ishte e hapur për opinion, kërkoi veprim ndërinstitucional në zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja

Pjesëmarrësit e takimit të Këshillit Ministror për integrimet evopiane të Kosovës, në të cilin ishte pjesëmarrës edhe kryeministri Ramush Haradinaj, shqyrtuan sot rrjedhën e deritanishme të zbatimit të Axhendës së Reformave Evropiane (ERA), si dhe sfidat e ardhshme në këtë proces, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, në pjesën e konferencës që ishte e hapur për opinion, kërkoi veprim ndërinstitucional në zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE), me ç‘rast uroi për zbaimin me sukses të prioritetit ERA 1, me theks të veçantë te pakoja e ligjeve të miratuara lidhur me sundimin e ligjit dhe reformat e administratës publike, siç është Kodi Penal.

“Jam i bindur se tani si Kosovë kemi fituar njohuri më të madhe, besim më të madh dhe se jemi në krye të detyrës sonë. Para nesh janë sfidat e ERA 2, të heqim defektet nga e kaluara, që në disa raste janë paqartësitë në identifikimin e veprimeve, çfarë duhet të bëjmë, kush duhet të bëjë, cilat janë afatet, etj”, tha Haradinaj.

Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha tha se janë zbatuar 10 prioritete nga gjithsej 22 sa janë në kuadër të Axhendës së Reformave Evropiane (ERA), ose më saktë 68 për qind dhe të njëjtët janë miratuar në parim nga zyra e eurokomesarit Johanes Hahn.

“Në pjesën e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, me miratimin e Kodit Penal dhe ligjit për procedurë penale më 14 dhe 15 janar, ne kemi bërë një avancim të jashtëzakonshem. Pas kësaj është miratuar edhe ndryshimi i ligjit për konflikt interesi. Kriteri 1.3 siguron transparencë dhe përgjegjësi për financimin e partive politike dhe gjithë kjo kontribuoi që ERA 1 të ketë zbatim më të madh”, tha Hoxha.

Ajo sqaroi se ERA 2 ka 19 prioritete të ndara në shtyllat e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit; konkurrentshmëria, klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm si dhe punësimi dhe arsimi.

Prioritetet e papërmbushura nga ERA 1 transferohen tek ERA 2.

Hoxha bëri të ditur se ERA 1 ka pasur afat njëvjeçar të zbatimit nsërsa ERA 2 do të duhet të përfundojë në fund të vitit 2020.